
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, përveç situatës së pandemisë dhe fushatës së vaksinimit, foli në Absolut 4 edhe për fushatën e zgjedhjeve të 25 prillit, ku ajo është e katërta në listën e Partisë Socialiste në Tiranë.
Manastirliu u shpreh se qytetarët kërkojnë që të vijojë puna e nisur gjatë këtyre 8 viteve qeverisjeje. “Si tërmeti dhe pandemia nuk i solli qeveria. Tërmeti ishte një fatkeqësi natyrore, pandemia një armik i padukshëm në të gjithë botën, që ka vendosur në krizë shëndetësore të gjitha vendet në botë. Punët përgjatë periudhës së vështirë nuk janë ndalur asnjëherë.
Gjatë komunikimit tim me banorët e njësisë numër 9, ajo që shihet është se ka problematika, shumë kanë marrë zgjidhje, shumë presin të marrin zgjidhje, por unë ndjej nevojën e qytetarëve që të mos ndalojë puna e nisur gjatë këtyre viteve. Ky është një proces që duhet të vijojë. Nevoja për të ndërtuar Shqipërinë e së ardhmes është një nevojë më e madhe se sot. Duhet të ecim përpara me një skuadër që bën punë, që mban fjalën, di të përgjigjet dhe të kthejë në vepra premtimet. Këto janë të gjitha argumentet që ne shkojmë përpara qytetarëve”.
Më tej, ministrja foli edhe për përfshirjen në politikë të shefes së Infektivit, Najada Çomo. “Ishin simboli i një armate të mjekëve të infermierëve që qëndruan në ballë të një lufte jo të lehtë dhe qëndruan me një personalizëm të lartë për t’u përballur me një ngjarje që ndodh një herë në 100 vite. Lufta nuk ka përfunduar ende. Ne jo vetëm që i kemi “rrëmbyer”, kemi marrë më të mirën e tyre për të bërë më të mirën për vendin. Janë njerëz me kontribute dhe simbole të punës dhe profesionalizimit”, tha Manastirliu. (A2 Televizion)