
Pasi udhëtoi deri në Mars, një sondë e NASA-s me vlerë 125 milionë dollarë, e nisur në vitin 1999 për të vëzhguar planetin e kuq, iu afrua shumë sipërfaqes dhe u shpërbë.
A ishin mposhtur shkencëtarët e famshëm inteligjentë të agjencisë nga fati i keq?
Jo. Ata ishin mposhtur nga dështimi i tyre për të kujtuar se softueri i sondës funksiononte me matje perandorake dhe jo metrike.
Për më tepër, NASA bëri të njëjtin gabim gjashtë vjet më vonë, duke shkatërruar një tjetër anije kozmike, kjo me vlerë 110 milionë dollarë.
Vetëm për shkak se jeni i zgjuar dhe i suksesshëm, nuk do të thotë se nuk mund të jeni edhe budallenj dhe vetëshkatërrues.
Spalding ka mbledhur së bashku tregime që vërtetojnë se sa të gabueshëm mund të jenë të mëdhenjtë.
Ajo rendit gabimet më trashanike të bëra nga pionierja e kompjuterit të shekullit të 19-të, njëkohësisht e varur nga bixhozi, Ada Lovelace, e cila humbi 3200 £ në një bast (me vlerë rreth 270,000 £ sot), e dero tek Albert Einstein që vazhdimisht përmbyste varkën e tij në det dhe ekipet e shpëtimit duhet ta nxirrnin prej andej.
Marrëzia e tij ishte edhe më e madhe sepse ai nuk dinte të notonte.
Disa nga dështimet janë komikisht të paafta. Çarls Darvinit përshembull i pëlqente të hante speciet e reja që kishte kataloguar. Pas muajsh të kaluar duke kërkuar për rhea-n më të vogël (një zog që s’mund të fluturoj), ai e gjeti një por e ngatërroi për diçka tjetër.
Ai dhe shoqëruesit e tij në Beagle ishin në gjysmë të rrugës për ta ngrënë rhea-n kur Darvini e kuptoi gabimin. Ai mblodhi shpejt atë që kishte mbetur në pjatat e tyre dhe e dërgoi në Londër.
Siç thekson Spalding, kjo do të thotë se shembulli i parë i zogut në Angli "u rindërtua në thelb nga zierja".
Dështimet e tjera janë më serioze. Sigmund Freud ishte një adhurues i kokainës, si për veten ashtu edhe për pacientët e tij, por droga e bëri atë paranojak, aq sa gjatë pushimeve në Greqi në vitin 1904, ai mendoi se vdekja do t’i vinte nga numrat 61 dhe 62.
Kur iu dha dhoma me numër 31 në një hotel, psikanalisti u tmerrua pasi ishte gjysma e 62.
Ndërkohë, Napoleoni festoi nënshkrimin e një traktati me Rusinë duke organizuar një gjueti lepujsh, por kur lepurushët u lëshuan në fushë, ata rezultuan se ishin të zbutur dhe jo të egër, kështu që vrapuan me entuziazëm drejt udhëheqësit të madh ushtarak, i cili u vërsul i hutuar.
Mozarti ishte i fiksuar pas budallenjve. Teksti i kanunit të tij të vitit 1782 në B-flat major përkthehet në "puth prapanicën time, shpejt, shpejt", ndërsa mbi dhjetë për qind e 400 letrave të tij të njohura përmendin të pasmet ose jashtëqitjen.
Një mësim tjetër është se nuk duhet të dorëzoheni kurrë. Para se të bënte pasurinë e tij si krijuesi i ‘Sherlock Holmes’, Arthur Conan Doyle u përpoq të afirmohej si mjek.
Ai kaloi javë të tëra pa asnjë pacient të vetëm, kështu që kur arriti dikush, ai e uli me padurim dhe filloi ta diagnostikonte burrin për kollë. Vetëm atëherë kuptoi se nuk kishte të bënte me një pacient, por me një përmbarues borxhesh, i cili kishte ardhur për të marrë paratë për faturën e papaguar të gazit. (A2 Televizion)