Pedagogia Ilirjana Kuçana, e ftuar në emisionin “Off the Record” të Andrea Dangllit në A2 CNN, ka paralajmëruar zhvillime të rëndësishme lidhur me çështjen e pastrimit të parave dhe lidhjet e mundshme me grupin mafioz ‘Ndrangheta’.
Gjatë diskutimit, Kuçana tha se më 21 nëntor, në Gjykatën e Apelit në Itali, do të nisë një seancë e rëndësishme që, sipas saj, mund të sjellë “goditje të forta politike”, përfshirë edhe në drejtim të kryeministrit Edi Rama.
“Unë mendoj që do kemi zhvillime të reja nga Italia. Mafia ‘Ndrangheta’ është përpara gjykatës së Apelit dhe kjo çështje lidhet me pastrimin e parave. Besoj se pastrimi dhe zullumi i madh që ka bërë Edi Rama do të dalë në dritë në të gjitha anët”, deklaroi Kuçana.
Ajo theksoi gjithashtu se qytetarët kërkojnë qartësi dhe përgjegjësi për mënyrën se si qeveriset vendi, duke iu referuar rastit të kryebashkiakut të Tiranës. “A mund të drejtohet 1 milionëshe Tiranë nga një kryetar që është në burg? Vendimet për të ardhmen e qytetit nuk mund të jenë në duart e një njeriu që ndodhet në burg”, u shpreh ajo. (A2 Televizion)
                                          
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   
						                   