Legjitim edhe pas hekurave, Tirana mbetet e Veliajt, Kushtetuesja kundër Ramës e Begajt

Nga Ervin Koçi
3 Nëntor 2025, 23:20 | Politikë

Bashkia e Tiranës mbetet e Erion Veliajt. Gjykata Kushtetuese hodhi poshtë vendimin e Edi Ramës duke legjitimuar mandatin e Erion Veliajt si qytetarin e parë të Tiranës, edhe pse në qelinë e paraburgimit në Durrës.

Argumentet e Veliajt në sallë ne gjyqit qëlluan të ishin të përafërta me vendimmarrjen e Gjykatës duke konsideruar pikë së pari në shkelje të kushtetutës procedurën e ndjekur nga Këshilli Bashkiak ku sipas trupës, ata shkelën parimin e një procesi të rregullt ligjor duke mos e thirr Veliajn në mbledhjen e këshillit.

Si arsye të shkarkimit ish-bashkëpunëtorët e Veliajt kishin faktin se kishte mbi tre muaj pa u paraqitur në detyrë, gjë e cila sipas trupës, ishte në shkelje të Kushtetutës, pasi mungesa e Veliajt ishte e përligjur, sa kohë mbahet i paraburgosur, shkruan A2 CNN.

Ndërsa Veliaj  vijon të jetë në paraburgim, Qeveria duket se e ka të vështirë të iniciojë një proces të dytë shkarkimi pasi Gjykata në argumentet e saj u shpreh se një kryetar bashkie shkarkohet nga qeveria vetëm për shkelje të rëndë të ligjit dhe kushtetutës, dhe diçka të tillë, do të duhet ta provojë përpara trupës.

Me këtë vendim Gjykata i dha edhe përgjigje Bajram Begajt duke konsideruar antikushtetues caktimin e datës së zgjedhjeve në Tiranë  dhe për pasojë, kryeqyteti nuk do të garojë për një kryetar të ri, por do të vijojë të qeverisë Erion Veliaj nga paraburgimi në Kënetë të Durrësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos