Zbulohen faturat e Berishës, LaCivita mori 1.67 mln dollarë për humbjen e katërt radhazi

Nga Ervin Koçi
3 Nëntor 2025, 23:28 | Politikë

Nuk bëri magjinë në zgjedhje, por në financat e veta. Vërtet nuk shtoi vota dhe mandate pet PD, por portofoli i tij u mbush me para. Pesë muaj pas parlamentareve të 11 majit demokratët kanë publikuar paratë e shpenzuara për strategun Chris LaCivita, ku plotë 1.67 milionë dollarë shkuan në arkën e amerikanit që i premtoi rikthimin në pushtet.

Marrja e LaCivitas si konsulent zgjedhor ishte pika më e fortë me të cilën Berisha bëri fushatë, madje duke e bërë edhe protagonist në mitingun hapës të Tiranës, ndërsa LaCivita ka shijuar pagesat e demokratëve të ndara në katër këste. E para daton në 11 shkurt të këtij viti me një vlerë rreth 43.5milionë lekë, ndërsa dy pagesa të tjera në muajin mars me një vlerë totale prej rreth 47.4 milionë lekë, shkruan A2 CNN.

Pagesa e katërt është edhe më interesantja e cila daton në datën25 maj 2025, plotë dy javë pasi zgjedhjet përfunduan dhe Sali Berisha mësoi se jo vetëm kishte humbur përballë Edi Ramës, por kundërshtari i tij, kishte arritur një fitore të thellë në numër mandatesh. Sipas pagesës numër katër, në arkën e kompanisë Advancing Strategies kaluan edhe rreth 43.5 milionë lekë të tjera duke mbyllur faturën totale me një vlerë rreth 139 milionë lekë.

Nëse Berisha zyrtarisht konsiderohet humbës i zgjedhjeve, fitues duket se nga ky proces kanë dalë dy vetë, Edi Rama me 83 mandate dhe Chris LaCivita me 1.67 milionë dollarë në arkën e tij dhe në fund të këtij procesi, pyetja që mbetet është, përse kjo pagesë u mbajt e fshehtë deri në limitin e afatit ligjor? (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos