
Kandidatët demokratë për në garën presidenciale të nëntorit u përballën të martën në debatin e 10 mes tyre, në Charlston, Karolinën e Jugut, në atë çka analistët e quajnë një teatër politik e një debat, që nuk ngjasonte aspak me një përballje zotërinjsh.
Nëse javën e shkuar në Nevada, viktima ishte i sapo futuri në garën e demokratëve, Michael Bloomberg, këtë herë në fokus të sulmit nga rivalët ishte Bernie Sanders, i cili që në nisje të garës ka siguruar fitoren në dy shtete.
Debati i mbrëmshëm ishte kaotik, me kandidatët që flisnin me njëri-tjetrin dhe e me moderatorët, si dhe duke harruar publikun. Shumë herë përgjigjja ishte më e gjatë sesa koha që kandidatët kishin në dispozicion.
Nëse mund të bëhet një listim i fituesve dhe humbësve, CNN ka një ide të qartë nga ajo çka ndodhi gjatë debatit të 10. Fituesit janë Pete Buttigieg, Joe Biden, Amy Klobuchar e Bernie Sanders. Ndërsa Bloomberg, ish kryebashkiaku i Nju Jorkut, u rendit i fundit në këtë debat, si humbësi më i madh, së bashku me Elizabeth Warren. (A2 Televizion)