
Zëvendësministri i Shëndetësisë në Iran, Iraj Harirchi, është prekur nga koronavirusi dhe është futur në karantinë vetëm një ditë pasi në një konferencë për shtyp, ku shihej qartë që nuk ndihej mirë, këmbënguli se përhapja e virusit në Republikën Islamike nuk ishte aq e madhe sa dukej.
Regjimi iranian nuk pranon që të izolojë qytetin e shenjtë të Qomit, që e vizitojnë shumë pelegrinë, pavarësisht se nga vendet e Lindjes së Mesme, Irani ka numrin më të lartë të njerëzve të prekur nga koronavirusi. 95 persona janë infektuar, ndërsa 15 kanë humbur jetën.
Gjithësesi, ka dyshime se numri i viktimave është shumë më i lartë, me një ligjvënës që deklaroi dje se 50 persona kanë vdekur vetëm në qytetin e Qomit.
Qomi, aty ku mendohet se virusi ka mbërritur në Iran nga Kina, është një destinacion për pelegrinët shiitë nga e gjithë Lindja e Mesme. Irani tha sot se nuk do ta mbyllë Qomin pasi njerëzit janë “mjaftueshëm të kulturuar” për të mos e përhapur virusin në vende të tjera. (A2 Televizion)