
Deputetja e Partisë Demokratike, Orjola Pampuri, është shprehur se "nuk ka asgjë antidemokratike në vendimin e kryetarit Lulzim Basha për të zgjedhur kryetaren e re të LDG dhe strukturat inekzistente drejtuese të Lidhjes".
"Zgjedhja e kryetares së LDG-së me parimin “një anëtar, një votë” është një lajm i mirë për të gjitha gratë dhe vajzat demokrate, që besojnë tek PD dhe duan të japin kontributin e tyre. Zonja Albana Vokshi është emëruar në ketë detyrë që në vitin 2009 nga Kryetari i PD, pa garë. Mandati i saj ka skaduar prej të paktën 8 vitesh dhe askush nuk mund të pretendojë për legjitimitetet apo demokraci në drejtimin e LDG. Shumë pak e dinë, por LDG nuk ka patur në 12 vjet asnjë strukturë përveç Kryetares me mandat të skaduar. Zonja Vokshi nuk e miratoi kurrë statutin e LDG, siç e urdhëron Statuti i Partisë, nuk hapi kurrë garë për asnjë strukturë drejtuese të Lidhjes. Nën drejtimin e znj. Albana Vokshi, LDG nuk ka patur as Sekretare të Përgjithshme, as Nënkryetare, as Kryesi, as Këshill Kombëtar. Ky mund të jetë akti më antidemokratik që mund të bëhet ndaj një forumi politik", lexohet në postimin e Pampurit.
"Pas procesit të nisur sot nga Kryetari Basha do të sigurohet zbatimi korrekt i statutit të PD, në mënyrë që organizimi i LDG të jetë i ngjashëm me atë të PDSH. Për këtë arsye, Kryesia e PD do duhet të miratojë edhe Statutin për funksionimin demokratik të LDG për t’i dhënë fund praktikës antidemokratike të uzurpimit të Kryetares së Lidhjes për 12 vjet, pa votë", shton Pampuri.
Disa orë më parë, po në Facebook, Albana Vokshi u shpreh se vendimi i Lulzim Bashës për të nisur një proces të zgjedhjeve në Lidhjen Demokratike të Gruas së Shqipërisë “është arbitrar, uzurpues dhe i bërë në mënyrë qesharake me telefonatë”.
Vokshi theksonte: "Zgjedhjet në LDG organizohen nga vetë forumi, sipas përcaktimeve statutore. As kryetari i PD-së, dhe asnjë komision zgjedhor i ngritur prej tij nuk mund të kenë rol në vendim-marrjen dhe menaxhimin e procesit. Drejtimi dhe vendim-marrja e forumit janë krejtësisht të shkëputura nga ato të Partisë. Asnjë drejtues i PD-së nuk ka rol në vendim-marrjen e LDG-së”. (A2 Televizion)