Garancia sovrane 2, Vathi: E domosdoshme, por të mbulohej 100% nga shteti

Nga A2 CNN
26 Maj 2020, 14:25 | Ekonomi
Garancia sovrane 2, Vathi: E domosdoshme, por të mbulohej 100% nga shteti

Besnik Vathi prej 27 vitesh operon një agjenci turistike në vend. Por, hapja e vonuar e ekonomisë e ka vënë ecurinë e këtij biznesi në dyshim.

Pandemia e detyroi të pezullojë aktivitetin duke dërguar në shtëpi të gjithë punonjësit, që sipas tij kanë përfituar bonusin 40 mijë lekë nga paketa e dytë ekonomike.

Fati i biznesit të tij dhe qindra subjekteve të tjera në këtë sektor është ende i paqartë, në kushtet kur nuk ka ende një datë për rinisjen e fluturimeve dhe ka paqartësi mbi mënyrën se si do të trajtohen të gjithë personat që vijnë nga jashtë vendit.

“Te na thuhet edhe ne, çfarë duhet të bëjmë, të shpallim falimentimin. Është anuluar aktiviteti pranverës., si dhe rreth 70% i aktivitetit të verës, ku pjesa e mbetur pret vendimmarrjen e qeverisë”, thotë Vathi.

Anulimet masive të rezervimeve të hershme dhe mungesa e kërkesës, e ka vendosur biznesin e tij në krizë likuiditeti. Kjo ka bërë që tí drejtohet garancisë së dytë sovrane për të rimëkëmbur aktivitetin.

https://a2news.com/2020/05/26/garancia-sovrane-2-procesi-pezull-ende-pa-firmosur-marreveshjet-me-bankat/

Edhe pse shprehet se e ka të domosdoshëm një instrument të tillë, garancia nuk është e favorshme shton ai, pasi shteti duhet të mbulonte në masën 100% interesat e kredisë.

“Unë si biznes do të shoh a kemi mundësi dhe kolaterale të tjera nga ato që kemi marrë, po nuk patëm nuk do kemi mundësi të marrim. 90% e bizneseve nuk do jenë në gjendje të operojnë mbi këtë kredi. Kjo do të ndodhë vetëm në qoftë se do të hiqet pjesa e bankave. Garancia sovrane duhet te jete 100% nga qeveria", thotë ai.

Turizmi është ndër sektorët më të goditur për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas Vathit qeveria duhet të japë një ndihmë konkrete për bizneset që operojnë në këtë industri qoftë me grante apo instrumenta të tjerë për t’u ringritur.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos