
Për t’i ardhur në ndihmë bizneseve në këtë periudhë krize të koronavirusit, qeveria vuri në dispozicion instrumentin e garancisë sovrane. Në paketën e parë financiare, të prezantuar më 19 mars, u parashikua një garanci sovrane me vlerë 100 milionë dollarë për bizneset në vështirësi që të merrnin kredi në banka për të paguar pagat e punonjësve, ku qeveria merrte përsipër edhe shlyerjen e interesave.
Ndërsa në paketën e dytë financiare, të prezantuar nga kryeministri Edi Rama në prill, një tjetër garanci sovrane në vlerën e 150 milionë dollarëve u vu në dispozicion të biznesit për të marrë kredi për likuiditet, ku interesat sërish paguhen nga qeveria.
Aktualisht, kompanitë mund të aplikojnë vetëm për garancinë e parë, atë për pagat. Por, sa po e marrin kredinë të gjithë ata që e kërkojnë?
“Shkuam në bankë për të përfituar nga garancia sovrane, por morëm përgjigje negative. Bankat do i filtrojnë të gjitha garancitë sovrane, nuk është ashtu siç është transmetuar në media. Banka më tha se nëse nuk ke likuiditet, nuk merret garancia sovrane; nëse ke kredi bankare dhe je i ekspozuar, nuk merret garancia. Ky është problem në këtë moment pasi nuk ka biznes prodhimi që nuk ka kredi në banka. Nëse do të kisha likuiditet, nuk kam nevojë të shkoj në bankë”, u shpreh Mici.
Burime nga sistemi bankar bëjnë të ditur se deri më tani kanë aplikuar për kredi për pagat e punonjësve 400 kompani, teksa janë aprovuar vetëm 70, me një shumë të përgjithshme prej 9,2 milionë dollarë.
Ndërkohë, garancia e dytë sovrane, ajo e kredive për likuiditet, ende nuk është çelur. (A2 Televizion)