Skandali që po trondit Kremlinin, ministri i Putinit shëtit të dashurën me avionë ushtarakë 100 mln dollarësh

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 18:51 | Bota

Mediat opozitare ruse dhe gazeta britanike The Sun i kanë bërë jehonë një skandali të ri seksual që ka përfshirë Kremlinin, pasi u zbulua se ministri i ri i Mbrojtjes, Andrej Belousov, i cili njihet edhe si njeri i afërt me Putinin ka përdorur avionë ushtarakë të llojit Iljushin-76 (me vlerë mbi 100 milionë dollarë), për të transportuar të dashurën e tij sekrete nëpër Rusi.

23-vjeçarja Marija Shalajeva nga Jekaterinburgu, ka postuar në rrjetet sociale video dhe foto ku tregon se është dërguar me avion ushtarak në një udhëtim fundjave në Rostov mbi Don, aty ku ndodhet edhe selia kryesore e Forcave të Armatosura ruse.

Në postimet e saj, tashmë të fshira, biondja simpatike shkruan se ka udhëtuar në një aeroport të mbyllur për civilët, dhe se i dashuri i saj "nga Kremlini" i kishte organizuar një trajtim për manikyr atje.

“Kush thotë se avionët nuk fluturojnë në Rostov? Fluturojnë, por jo për të gjithë. Gjithsesi, ja ku jam prapë në Rostov. Nuk mund ta lë”, ka shkruar ajo.

Ajo ka zbuluar gjithashtu se e ka marrë me vete në udhëtim edhe djalin e saj trevjeçar, Tim, duke ngritur dyshime se fëmija mund të jetë i biri i të dashurit të saj, Belousov. “Tre vjeç, dhe tashmë ka fluturuar me avion ushtarak!”, ka shkruar Marija.

Sakaq, në një nga videot e postuara, duket një burrë me flokë të thinjura me shpinë, duke ngritur dyshime se mund të jetë vetë 66-vjeçari Belousov, ministri i ri i Mbrojtjes i Rusisë dhe burokrat i afërt me Putinin. Edhe pse nuk ka prova përfundimtare, burime të pavarura si media bjelloruse Nexta kanë përmendur Belousovin si të përfshirë në këtë aferë seksuale.

Shalajeva, e cila ka një histori postimesh provokuese, në disa prej tyre ka lënë të kuptohet se partneri i saj është pikërisht Belousov. “Ai nuk është ushtarak! As FSB! E di kush është, por nuk guxoj të them”, ka shkruar ajo.

Skandali ka ngjallur zemërim në qarqet ushtarake dhe të sigurisë, sidomos për shkak të mundësisë së rrjedhjes së informacionit të ndjeshëm përmes postimeve të saj. Një nga fotografitë e postuara tregon detaje të avionëve që fluturojnë në Rostov dhe se kush ia ka organizuar fluturimin.

Një zyrtar ushtarak në pension, gjeneral-majori Vladimir Popov, është shprehur se “të gjithë do të gjenden dhe do të ndëshkohen.” Ai ka theksuar se përgjegjësia kryesore bie mbi ministrin e Mbrojtjes dhe se nuk do të tolerohen akte të tilla të papërgjegjshme.

Sakaq, blogeri pro-Kremlinit Andrej Medvedev shtoi se “Shërbimi kundërzbulues ushtarak ka punë me bollëk”.

Mund të imagjinoj sa informacion marrin SBU dhe agjencitë perëndimore vetëm duke ndjekur rrjetet sociale”, shtoi ai.

Skandali shpërtheu në një moment të ndjeshëm për Kremlinin, pas vdekjes misterioze të ish-ministrit të Transportit, Roman Starovoit, i cili u shkarkua më 7 korrik dhe u gjet i vdekur vetëm disa orë më pas. Edhe pse zyrtarisht u raportua si vetëvrasje me armë zjarri, media të pavarura ruse si SOTA raportojnë se trupi i tij kishte shenja dhune dhe torturash.

Ky zhvillim e thellon më tej krizën e besimit në elitën qeverisëse ruse dhe ngre pyetje serioze për sigurinë kombëtare dhe moralin e udhëheqjes së lartë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos