U përplas me policët në Theth, Luçiano Boçi: Prishjet janë selektive, pas bregdetit Rama po rrëmben edhe malin

Nga A2 CNN
12 Korrik 2025, 18:52 | Politikë

U përplas me policët në Theth, Luçiano Boçi:

Deputeti i zgjedhur i PD, Luçiano Boçi, tha se Kryeministri Edi Rama po kërkon të rrëmbejë edhe malet e Shqipërisë, siç bëri me bregdetin, duke ia dhënë njerëzve të tij të besuar mundësinë për të bërë turizëm, shkruan A2 CNN. Pas përplasjes fizike me policët në Theth, ku ishte bashkë me kolegun Bardh Spahia, në mbështetje të banorëve, Boçi tha se opozita do përdorë çdo instrument për mbrojtjen e banorëve atje.

“Turizmi familjar ka marrë goditje përfundimtare. Siç shihet prishjet këtu janë selektive, policia dhe IKMT janë në kundërshtim të plotë me ligjin. Banorët kanë ndërtuar në tokat e tyre, por kjo nuk përputhet me oreksin e Edi Ramës i cili kërkon të rrëmbejë edhe këtë perle të natyrës siç ka bërë me të tjerat. Këtu nuk ka shtet, sepse të marrësh zvarrë banorët sepse kanë ndërtuar në tokat e tyre kanë bërë turizëm familjar këtij nuk i thonë shtet. Të gjithë drejtuesit e IKMT thonë një fjalë, kemi urdhër. Nga kush kane urdhër? Këtu sundon arroganca e një shteti që qeverisjen e kanë marrë nga bandat. Do të jemi këtu si opozitë me të gjitha mjetet tona për të reaguar. Thirrja ime është të bëhemi bashkë të gjithë burrat e malësisë për ta ndalur këtë valë terrori”, u shpreh Boçi.

“Siç e shikoni jemi në një terror të vërtetë të shtetit të Edi Ramës. Banorët nuk janë përballur ndonjëherë me pamje terrori të tillë. Si një besëprerë tipik Edi Rama pasi iu dha fjalën dhe u bëri thirrje të investonin emigrantët e kësaj treve, i dhunon sot dhe i hedh në lum investimet e tyre. Një hakmarrje primitive e tij për votën që nuk e mori kurrë të thethjanëve”, tha Spahia.

Prej disa ditësh situata në Theth është tensionuar pas nisjes së operacionit të IKMT-së për prishjen e ndërtimeve pa leje në zonë. Banorët kundërshtojnë veprimet e shtetit, pasi thonë që nuk e kanë të mundur që të ndërtojnë me leje pasi u mungojnë certifikatat e pronësisë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos