Një ngjarje dramatike është shënuar mëngjesin e sotëm në fluturimin nga Dubrovniku drejt Lyon-it, kur avioni i pasagjerëve i kompanisë Volotea është përfshirë nga flakët gjatë fluturimit dhe ka kryer një ulje emergjente në aeroportin “Sandro Pertini” pranë Torinos.
Sipas mediave italiane, ngjarja ndodhi rreth orës 10:28, kur avioni tip “Airbus A320”, i cili ishte nisur nga Dubrovniku dhe duhej të mbërrinte në Lyon në orën 10:40, pësoi një defekt teknik në ajër.
Gjatë këtij defekti, një nga motorët e avionit shpërtheu në flakë, duke detyruar pilotin të aktivizojë procedurat e emergjencës dhe të kërkojë ulje të menjëhershme.
Fatmirësisht, avioni arriti të ulet në mënyrë të sigurt pa pasoja për pasagjerët apo ekuipazhin. Sipas raportimeve të "Corriere della Sera" ndërhyrja e shpejtë e kontrollit të trafikut ajror dhe profesionalizmi i pilotit parandaluan një tragjedi të mundshme.
Aktiviteti në aeroportin e Torinos u ndërpre për rreth një orë për shkak të incidentit, ndërsa pasagjerët që udhëtonin drejt Francës u evakuuan me siguri dhe më pas u transferuan me autobusë drejt destinacionit të tyre përfundimtar, Lyon.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar shkaqet e saktë të defektit në motorin e avionit. (A2 Televizion)