“Gjobëvënie selektive”, PD: Qeveria sulmon bizneset që na mbështetën në fushatë

Nga A2 CNN
15 Shtator 2021, 11:59 | Politikë
“Gjobëvënie selektive”, PD: Qeveria sulmon bizneset

Partia Demokratike denoncoi një fushatë gjobash selektive të ndërmarrë nga autoritetet vendore dhe qendrore, kundër bizneseve që dolën në krah të Partisë Demokratike gjatë fushatës zgjedhore. Shumë prej këtyre bizneseve po trajtohen si armiq dhe ndaj tyre po tentohet hakmarrja me presion, nënshtrim, ose falimentim, pohon PD-ja.

“Korrupsioni, klientelizmi, gjobat kanë përkeqësuar gjendjen e biznesit, por shumë prej tyre ndodhen në këtë periudhë në sulm të vazhdueshëm nga qeveria si kundërshtarë politikë. Denoncimet e ardhura në Partinë Demokratike dëshmojnë për një fushatë selektive të qeverisë kundër bizneseve që u deklaruan në fushatën zgjedhore pro ndryshimit dhe dolën në krah të Partisë Demokratike. Sot, shumë prej këtyre bizneseve po trajtohen si armiq. Përmes gjobëvënies në zyrat e bashkive dhe të tatimeve, po tentohet hakmarrja me presion, nënshtrim, ose falimentim e shumë bizneseve në Tiranë dhe disa prej qyteteve kryesore të vendit”, u shpreh sekretari për biznesin në PD, Flamur Hoxha.

Ai i bëri thirrje qeverisë ta ndalojë këtë praktikë dhe bizneseve që të refuzojnë presionin.

“Partia Demokratike i bën thirrje qeverisë të ndalojë këtë praktike primitive. Bizneset duhen lënë të qetë të punojnë mes kaq shumë vështirësive që u ka krijuar keqqeverisja e Edi Ramës. U bëjmë thirrje bizneseve ta refuzojnë presionin nga kushdo qoftë ai! Partia Demokratike do të jetë në krah të çdo sipërmarrësi që punon për të rritur ekonominë. Gjobat politike janë të papranueshme! Ato rrënojnë biznesin dhe ekonominë e vendit”.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos