Gjuetia e paligjshme, rekorde të reja gjatë pandemisë, synohet zgjatja e moratoriumit

Nga A2 CNN
8 Nëntor 2021, 20:11 | Aktualitet
Gjuetia e paligjshme, rekorde të reja gjatë pandemisë, synohet

Vrasja e paligjshme e shpendëve dhe kafshëve të egra në vend vijoi pavarësisht moratoriumit. Ky pohim, përforcohet edhe nga Komisioni Europian, në raportin e ri të progresit për Shqipërinë.

“Raportimet e krimit mjedisor u rritën gjatë vitit 2020 dhe gjysmës së parë të 2021, veçanërisht për gjuetinë e kafshëve të egra dhe specieve të mbrojtura. Gjuetia pa leje e një rrëqebulli në Elbasan në maj 2020, nuk është ndjekur ende penalisht deri më sot”.

Sipas të dhënave nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, në harkun e 7 viteve të fundit, në vend u importuan 3126 armë gjahu dhe 252.859 fishekë, që sipas organizatave që kanë në fokus mbrojtjen e shpendëve dhe kafshëve të egra, u përdorën pikërisht për gjueti të paligjshme.

Aktiviteti i paligjshëm duket se e ka pasur pikun pikërisht gjatë periudhës së pandemisë, në tremujorin e dytë të 2020-ës. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave në vend u importuan 150 079 fishekë, që përbëjnë gati 60 për qind të totalit të importuar në harkun e viteve 2014-2020.

Sipas të dhënave nga Policia e Shtetit, rastet e proceduara penalisht për gjueti të paligjshme gjatë vitit të shkuar ishin 12, ndërsa 13 persona u ndaluan në veprim e sipër.

Nisur edhe nga situata, institucionet propozojnë ndalimin e gjuetisë edhe për 5 vite të tjera. Ministria e Mjedisit ka nisur procesin e konsultimit për zgjatjen e afateve të moratoriumit, tashmë prej 7 vitesh në fuqi.

Shqipëria, për shkak edhe të pozicionit gjeografik ka një botë të pasur shtazore. Nga ana tjetër, institucionet nuk arrijnë të raportojnë me saktësi mbi llojet, ndërsa numri shkon në rreth 55 mijë. Kjo për shkak se mungon një regjistër i mirëfilltë i florës në vend. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos