Me armë zjarri dhe makinë të blinduar, 4 persona në pranga, mes tyre gardisti dhe dy ushtarakë

Nga A2 CNN
24 Nëntor 2026, 08:11 | Kronikë

Me armë zjarri dhe makinë të blinduar, 4 persona në pranga,

Katër persona që qarkullonin me armë zjarri në automjet, mes të cilëve dy ushtarakë dhe një punonjës i Gardës së Republikës janë arrestuar nga policia.

Gazetari Igli Çelmeta raporton se të arrestuarit janë shtetasit Erion Ramaj, Ilir Shyti, Leonard Murataj dhe Ernest Selmani.

Ilir Shyti është djali i Roland Shytit, i njohur si “Mustaqekuqi”, emër i lidhur me dosjen e bujshme “Hakmarrja për Drejtësi”. Gardisti dhe dy ushtarakët dyshohet se shoqëronin dhe ruanin Ilir Shytin.

Gjatë kontrollit të makinës së blinduar tip “Audi”, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë. Bëhet fjalë për një makinë me targa polake PZ 6AC21, brenda të cilës udhëtonin katër personat. 

NJOFTIM

Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” të DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 1, gjatë kontrolleve të ushtruara pranë stadiumit “Arena Kombëtare”, kanë konstatuar një automjet të markës “Audi”, me të cilin qarkullonin 4 shtetas.

Gjatë kontrollit të automjetit të blinduar, në një çantë të zezë, të vendosur në pjesën e pasme të tij, u gjet një armë zjarri pistoletë.

Gjithashtu, gjatë kontrollit fizik të drejtuesit të automjetit, shtetasit E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, iu gjet një armë zjarri pistoletë.

Në përfundim të veprimeve të para procedurale, u bë arrestimi në flagrancë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, i shtetasve E. R., 40 vjeç, punonjës i Gardës së Republikës, I. Sh., 28 vjeç, L. M., 42 vjeç, ushtarak, dhe E. S., 46 vjeç, ushtarak.

Arma e zjarrit e gjetur në automjet u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një fenelinë, si ato të policisë, që dyshohet se e mbante shtetasi I. Sh. Ndërsa, për armën e zjarrit që iu gjet gjatë kontrollit fizik punonjësit të Gardës së Republikës, po kryhen verifikime nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP).

Vijojnë hetimet për dokumentimin e plotë të rrethanave të rastit dhe përcaktimin e përgjegjësive ligjore të secilit shtetas. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos