Gjurmimi i Covid-19, Afrika përgatit testin me kosto 1 dollar

Nga A2 CNN
11 Nëntor 2020, 17:00 | Bota
Gjurmimi i Covid-19, Afrika përgatit testin me kosto 1 dollar

Afrika mund të hedhë në treg një formë të shpejtë testimi për Covid-19, me kosto të përllogaritur për vetëm 1 dollar.

Instituti “Pasteur”, një qendër për kërkime bio-mjekësore në Senegal, deklaron se është pranë prodhimit të një kiti mjekësor me çmim të përballueshëm për testimin e virusit, ndërsa rezultati lexohet brenda pak minutash.

Amadou Sall, drejtues i institutit thotë se testi është shumë i ngjashëm me atë të shtatzënisë, ku mjafton të hedhësh vetëm disa pika gjaku për të pasur një rezultat. Fakti që kjo formë testimi nuk kërkon elektricitet apo analizim laboratorik, e bën atë të përdorshëm lehtësisht në të gjitha nivelet e komunitetit, çka është shumë e rëndësishme për vendet afrikane.

Puna kërkimore për prodhimin e këtij kiti kanë nisur që në muajin mars dhe në qershor u testua një prototip i tij. Doktor Sall deklaron se plani është që deri në shkurt të vitit të ardhshëm të prodhohen 10-15 mln teste, për t’u shpërndarë në sistemet spitalore publike.

Aktualisht, në gjithë Afrikën numërohen 1.8 milionë raste të konfirmuara me koronavirus, por sipas ekspertëve numri i testeve të kryera është shumë i ulët.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos