Këngëtari i njohur amerikan i muzikës R&B, R. Kelly u përshkrua dje si një "grabitqar" nga prokuroria, në ditën e parë të gjyqit kundër tij në Nju Jork, ku akuzohet për abuzim seksual.
54-vjeçari, i njohur më së miri për hitin e tij "I believe I can fly", u shfaq i heshtur dhe me kokën ulur në sallën e gjykatave federale në Brooklyn, ku ai gjykohet me akuzat e shfrytëzimit seksual të fëmijëve, rrëmbimit dhe korrupsionit për një periudhë që varion nga 1994 në 2018.
Sipas aktakuzës, fituesi i tre çmimeve Grammy, në 1998 drejtoi një rrjet që rekrutonte dhe stërviste vajzat e reja që të bënin seks me të, duke i mbyllur në dhomat e hotelit kur ai ishte në turne dhe duke u kërkuar atyre që të "ulnin kokën" dhe ta thërrisnin "papi" ("babi"). Këngëtari akuzohet për abuzim me gjashtë gra, përfshirë të mitura.
"Ne po flasim për një grabitqar. Një burrë i cili për dekada ka përdorur famën, popullaritetin dhe një rrjet njerëzish në dispozicion për të synuar, trajnuar dhe shfrytëzuar vajzat dhe gratë e reja për të kënaqur dëshirat e tij seksuale," tha prokurorja Maria Cruz Melendez në hapjen e procedurës.
Nëse shpallet fajtor për të gjitha akuzat nga juria, e përbërë nga shtatë burra dhe pesë gra, R. Kelly përballet me 10 vjet burg.
Këngëtari, emri i plotë i të cilit është Robert Sylvester Kelly, është deklaruar i pafajshëm për akuzat për shantazh dhe shkelje të Mann Act, një ligj kundër trafikimit të seksit. (A2 Televizion)