
Duket si një skenë nga loja e famshme Grand Theft Auto, por është një ndjekje me shpejtësi të lartë në rrugët e Los Anxhelosit, në Kaliforni. Në drejtim të mjetit që shkaktoi panik në rrugë ishte një grua, e cila kishte në makinë edhe të bijën 9-vjeçare.
Pasi kishte shkaktuar një aksident dhe nuk kishte ndaluar, policia u vu në ndjekje të gruas, e cila për të mos u kapur u përplas me disa mjete të tjera në rrugë, edhe pse shoferët e tjerë përpiqeshin ta shmangnin.
Pas disa orësh ndjekje, makina u bllokua nga forca të shumta policie, të cilët qëlluan me gaz lotsjellës në drejtim të mjetit. E mitura doli nga makina dhe vrapoi në drejtim të policëve, të cilët më pas bënë edhe arrestimin e gruas. (A2 Televizion)