
Grupimi Alibeaj në Partinë Demokratike do të dorëzojë brenda javës në gjykatë kërkesën për regjistrimin e ndryshimeve statutore të Kuvendit të 18 dhjetorit 2021, që praktikisht lë partinë në kontrollin e tyre.
Këtë e paralajmëroi avokati Indrit Sefa, përmes një statusi në Facebook. “Në cilësinë e përfaqësuesit të Partisë Demokratike kam ndjekur të gjitha zhvillimet juridike në Gjykatën e Apelit duke kërkuar që kjo e fundit të caktojë datën për gjykimin e vendimit të gjyqtarit Zhukri. Me gjithë kërkesat tona institucionale, kjo gjykatë ende nuk ka caktuar një datë për këtë gjykim.
Nisur nga fakti që gjykimi lidhur me kuvendin e 18 dhjetorit mund të përdorej si argument ligjor për moscaktimin e datës së gjykimit të Apelit për vendimit Zhukri, për shkak të lidhjes ligjore ndërmjet këtyre dy çështjeve, me qëllim heqjen e çdo pengese për gjykimin e vendimit Zhukri, zgjodhëm që të heqim dorë nga gjykimi për regjistrimin e ndryshimeve statutore të kuvendit të 18 dhjetorit. Kërkesa për regjistrimin e këtyre ndryshimeve do të depozitohet në Gjykatën e Tiranë brenda kësaj jave”, shkroi Sefa.
“Ndryshe nga sa pretendon Sali Berisha, deri më sot, këta së bashku nuk kanë kërkuar në asnjë rast që Gjykata e Apelit Tiranë të shprehet lidhur me vendimin e Gjyqtarit Zhukri dhe për pasojë zgjidhjen e ngërçit ligjor të krijuar lidhur me legjitimitetin e Kuvendit të 11 dhjetorit. Nuk ka asnjë kërkesë të tyre drejtuar kësaj gjykate për caktimin e seancës përveç retorikës politike për kapjen e saj nga Rama.
I vetmi person që nuk ka interes që gjykata të shprehet lidhur me ligjshmërinë e vendimit të Gjykatës është pikërisht Sali Berisha. Duke u bazuar në pretendimet e Rithemelimit i kërkojmë atyre që bashkërisht të kërkojmë që Gjykata e Apelit të caktojë datën e seancës dhe të zgjidhim ngërçin ligjor për demokratët dhe për Partinë Demokratike. Le t’i kërkojmë bashkërisht Gjykatës së Apelit caktimin e seancës dhe t’ia nënshtrojmë ligjshmërinë e Kuvendit të 11 dhjetorit gjykimit të saj. Vendimi jo vetëm do të tregojë se si qëndron e drejta por edhe do t’i japë fund njëherë e mirë përdorimit të emrit dhe simboleve të Partisë Demokratike në mënyrë të paligjshme nga Rithemelimi”. (A2 Televizion)