Hakmarrje dhe rekorde, Juventus dhe Napoli kërkojnë trofeun e Kupës së Italisë

Nga A2 CNN
16 Qershor 2020, 17:12 | Futboll
Hakmarrje dhe rekorde, Juventus dhe Napoli kërkojnë trofeun e

Janë sërish Napoli dhe Juventus dy skuadrat që do të luftojnë për trofeun e Kupës së Italisë, njësoj si 8 vite më parë, kohë kur triumfonin të kaltrit.

Juventus vihet përballë ish-skuadrës së Maurizio Sarrit, pasi eliminoi me dy barazime Milanin në gjysmëfinale.

“Më nervozon shumë kur dëgjoj që në Itali nuk kam fituar asgjë”, u shpreh tekniku 61-vjeçar në konferencën përpara ndeshjes.

“Të gjithë harrojnë që rezultatet e mia me Juventusin janë më të mirat në 50 vitet e fundit për një trajner debutues”, shtoi Sarri.

Grinta dhe dëshira për të ngritur Kupën është e njëjtë edhe për skuadrën e Gennaro Gattuso, që eliminoi Interin për të shkuar në finale.

Në aspektin teknik, Juventus pritet të zbresë në fushë me të njëjtin sulm sikurse ndaj Milanit. Khedira do të ketë një vend në formacion, ndërkohë që kthehet si titullar në të djathtë të mbrojtjes Juan Cuadrado. Në kampin tjetër, Mario Rui duket i avantazhuar për 11-shen startuese kundrejt kapitenit të kombetares shqiptare, Elseid Hysaj. Formacioni i Gattusos pritet të ketë ndryshime nga ai që u rreshtua përballë Interit.

Finalja e këtij edicioni mund të sjellë edhe rekorde për dy legjenda të “Zonjës së Vjetër”. Në rast suksesi, portieri Gigi Buffon do të arrijë në 6 Kupa Italie, duke barazuar rekordin e trajnerit të kombëtares axurre, Roberto Mancini.

Për Cristiano Ronaldon, Kupa e Italisë është trofeu i vetëm që i mungon vitrinës së arritjeve me klubet që ka luajtur në 3 nga kampionatet kryesore europiane.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos