Studiuesit kanë zbuluar një zog të rrallë që është mashkull nga një anë e trupit të tij, dhe femër nga ana tjetër. 15 vite më parë një tjetër zog i ngjashëm u zbulua nga shkencëtarët ndërsa ky i kësaj radhe është vetëm i pesti i zbuluar ndonjëherë nga 800 mijë zogj që jetojnë në Rezervatin Natyror të Paudermill (Powdermill).
“Të gjithë këtu ishin tepër të emocionuar”, tha për CNN Annie Lindsay, menaxherja e programit të zogjve në rezervat. “Kishte interes nga ana shkencore, por edhe gëzim që pamë diçka kaq të rrallë”.
Zogu identifikohet si një harabel sqepmadh. Meshkujt dhe femrat e këtyre lloj harabelash dallohen nga njëri-tjetri nga ngjyra: meshkujt i kanë pendët e brendshme të krahëve ngjyrë rozë, ndërsa femrat ngjyrë të verdhë në kafe.

Ky variacion gjenetik njihet edhe si gjynandromorfizmi, por për shkak se është i rrallë, studiuesit nuk e dinë me saktësi sesi ndikon në jetën e zogut. “Me siguri që do të ndikojë tek aftësia e tij për t’u shumuar. Nuk e dimë nëse ana femërore i ka vezoret në rregull. Nëse po, dhe do të arrijë të tërheqë meshkuj, mund edhe të riprodhohet.
Ky variacion nuk është edhe aq i rrallë, pasi ndodh edhe në specie të tjera, si te merimangat, krustacët apo edhe te pulat. Vjen si rezultat i një gabimi kur një vezë e pafertilizuar ndahet në dy bërthama, bashkohet me spermën dhe prodhon një embrion me qeliza mashkullore dhe femërore. (A2 Televizion)