
Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, nuk pranoi të komentonte pretendimet e avokatëve në lidhje me hartën e re gjyqësore, ndërsa u shpreh se pas diskutimeve në Komisionin e Ligjeve dhe pas konsultimit më Ministrinë e Financave, harta do të shkojë për miratim.
“Të gjitha diskutimet mbi hartën, kemi lënë një ditë të dedikuar, nesër në 14:00 në Komisionin e Ligjeve. Atje do të keni përgjigjet e duhura për hartën dhe do të shpalosim sugjerimet tona për hartën”, tha Manja për gazetarët. “Nesër do të shkojmë në respekt të Komisionit të Ligjeve të japim shpjegimet tona. Pas asaj seance dhe pasi të administrojmë opinionin e Ministrisë së Financave për kostot, harta do të shkojë në qeveri në miratim”.
Harta e re gjyqësore ka shkaktuar reagime të shumta nga grupet e interesit, më kryesori ai i avokatëve, të cilët kanë bojkotuar në masë seancat gjyqësore. Të mërkurën, Komiteti i Disiplinor i Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë do të mblidhet për të shqyrtuar ankimet ndaj avokatëve që kanë thyer bojkotin.
Burime pranë Dhomës së Avokatisë bënë me dije se deri këtë të hënë pranë Komisionerit të Ankimeve, autoriteti që regjistron ankimet dhe iu përcjell më pas Komitetit të disiplinës janë depozituar 13 ankime, me emra konkretë avokatësh që kanë thyer bojkotin. Pjesa më e madhe i përkasin avokatëve që kanë marrë pjesën e seanca të caktimit të masave të sigurisë në Gjykatën e Tiranës, por nuk mungojnë edhe shkelësit në gjykatat e rretheve. Thyerja e bojkotit është cilësuar si shkelje e rëndë nga Dhoma e Avokatisë dhe përballja e shkelësve me Komitetin e Disiplinës mund t’u kushtojë deri në pezullim të përkohshëm, apo heqje të licencës.
Bojkoti pa afat i avokatëve në mbarë vendin, i nisur më 30 qershor, është respektuar në pjesën më të madhe të gjykimeve në themel, fakt që nuk ka ndodhur në masat e sigurisë, ku të arrestuarit janë përfaqësuar nga avokatë kryesisht. Në mbledhjen e 7 korrikut, Këshilli i Përgjithshëm vendosi vazhdimin e bojkotit pa afat, zgjatjen me 10 ditë të bojkotit për masat e sigurisë dhe një protestë nga avokatët para KLGJ.
Një nga qëllimet e hartës së re gjyqësore të miratuar nga KLGJ dhe që po kundërshtohet me forcë nga avokatët, sipas hartuesve të saj, është ulja e numrit të delegimeve të gjyqtarëve. Delegimi dhe caktimi i gjyqtarëve në trupa gjykuese në procese në gjykata të ndryshme nga ajo ku ushtrojnë detyrën është kompetencë e KLGJ, si qeveri e gjyqësorit. Në 4 vitet e fundit, në kushtet e boshllëkut të krijuar nga shkarkimet e vetingut, kjo praktikë është përdorur si kamerdare shpëtimi për qindra procese gjyqësore, të cilat janë shqyrtuar me gjyqtarë borxh.
Situata ka bërë që në çdo mbledhje të KLGJ, një nga pikate rendit të ditës të jetë caktimi i gjyqtarëve në gjykime të gjykatave të tjera. Vetëm në mbledhjen e datës 10 qershor, janë caktuar gjyqtarë për 22 procese, ndërsa nga fillimi i këtij viti, kjo ka ndodhur për më shumë se 300 gjykime.
Referuar të dhënave zyrtare nga KLGJ gjatë vitit të kaluar totali i kërkesave të bëra në Këshill për pamundësi krijimesh trupa gjyqësore ka qenë 744, ku më shumë se gjysma ishte nga gjykatat e Apelit në vend. Harta e re gjyqësore shkrin 18 gjykata në vend, duke reduktuar në një 13 gjykata të Shkallës së Parë, 1 gjykatë të vetme Apelit dhe2 gjykata Administrative të Shkallës së Parë. (A2 Televizion)