
Zgjedhjet parlamentare në Elbasan u shënjuan nga vrasja e Pjerin Xhuvanit pak ditë para ditës së votimeve, ngjarje që ende nuk është zbardhur përfundimisht. Për deputetin e zonës, Luçiano Boçi, përgjegjësi politike për të ka edhe drejtuesi i fushatës, Gazment Bardhi.
“Zoti Bardhi nuk është se hyn në radhët e politikanëve që kanë përvojë në fushatë. Ishte sfida e parë për të. Dhe jam i përmbajtur të ngarkoj faje për shkak të mungesës së eksperiencës. Por ndoshta situatat u krijuan edhe për shkak të mënyrës sesi u transformua kodi zgjedhor dhe kjo krijoi një lloj kakofonie për mënyrën sesi duhet të silleshin deputetët”, tha Boçi në Intervistë me Merita Haklaj në A2 CNN.
“Normal që përgjegjësia i kalon edhe atij, për shkak të postit. Kjo jo për hir të betejës së brendshme në PD, por për hir të një realiteti politik, që lidhet jo vetëm me atë që ndodhi, momentin fatkeq, por edhe momentin postzgjedhor. Pse situata nuk u zbardh, nuk u faktua, nuk u trysnua akoma më shumë? Pse këto fakte nuk u morën që të kishim një raport edhe më kritik të OSBE/ODIHR? Të gjitha këto shkojnë si përgjegjësi e drejtuesit politik”. (A2 Televizion)