Pamje të frikshme nga Santorini në Greqi, toka iu rrëshqet në këmbë banorëve

Nga A2 CNN
19 Gusht 2025, 21:37 | Ballkani

Një re e tmerrshme pluhuri mbuloi Imeroviglin në Santorini të dielën, kur një pjesë toke u shemb papritur nën këmbët e banorëve dhe turistëve që panë skenën të tmerruar, duke rrëmbyer gjithçka në rrugën e saj.

Mediat greke bëjnë të ditur se për fat të mirë nuk pati të lënduar, teksa në zonën aq shumë të lakmuar po kryheshin punime ndërtimi.

Videoja e regjistruar nga banorët dhe e publikuar nga mediat greke, kap momentet dramatike dhe nxjerr në pah rreziqet serioze që paraqet ndërtimi i tepërt në një zonë gjeologjikisht të paqëndrueshme dhe gjithashtu e kërcënuar nga lëkundjet sizmike.

Në imazhet e publikuara, shihet se brenda pak sekondash, e gjithë zona u mbështoll në një vello të dendur pluhuri, me banorët dhe turistët që shikonin me tmerr shembjen.

Sipas ekspertëve pjesa specifike e tokës është tashmë veçanërisht e rënduar nga aktiviteti intensiv i ndërtimit dhe klasifikohet si një zonë me rrezik të lartë. 

“Santorini është një ishull me një gjeomorfologji të cenueshme, dhe kur shtohet presioni i mbindërtimit, rreziku i rrëshqitjeve të dheut shumëfishohet”, theksojnë ata, duke dhënë alarmin. “Nevojiten masa të menjëhershme për të kufizuar aktivitetin e ndërtimit dhe kontrolle të rrepta, me qëllim mbrojtjen si të mjedisit ashtu edhe të jetës njerëzore.”

Vetëm në fillim të vitit, banorët u detyruan të braktisnin përkohësisht shtëpitë e tyre nga frika e tërmetit të madh që zgjati me ditë dhe shkaktoi dëme, gjë që tregon se sa i brishtë është ekuilibri në ishull.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos