
Shtëpia e bardhë e cilësoi si të turpshëm hetimin e kërkuar nga demokratët kundër familjareve dhe aleatëve të ngushtë të presidentit Donald Trump, nën akuzë për pengim të drejtësisë dhe abuzim të pushtetit. Zëdhënësja Sarah Sanders tha se demokratët po e shantazhonin presidentit amerikan.
Më herët gjatë së hënës, komisioni i drejtësisë në dhomën e përfaqësuesve kërkoi dokumente për 81 persona e grupe. Mes tyre janë ndihmës të presidentit amerikan dhe fushatës së tij, pjesëtarë të familjes, partner biznesi e të tjerë. Kreu I komisionit, Jerry Nadler, tha se ishte detyrë e kongresit të kontrollonte nëse ka pasur abuzime me pushtetin në Shtëpinë e Bardhë.
“Për dy vite me radhë, administrate Trump ka sulmuar funksionet themelore të demokracisë sonë dhe Kongresi nuk ka bërë asgjë. Ne duhet te kontrollojmë dhe vendosim balancat”, tha Jerry Nadler, kreu i komisionit hetimor.
Nadler, komisioni i drejtuar prej të cilit ka fuqinë të drejtojë procedurat e “impeachment”, tha gjithashtu se ishte shumë e qartë që presidenti kishte penguar drejtësinë. Vetë Trump e quajti hetimin si një rreng politik, por shtoi se do të tregohet bashkëpunues.
“Do të bashkëpunoj në çdo moment, me këdo. Por e dini se cila është më e bukura? E gjithë kjo është thjesht një rreng politik”, tha Trump.
Më shumë se 5 komisione të dhomës së përfaqësuesve po hetojnë tani përpjekjet e pretenduara të Rusisë për të ndikuar tek fushata zgjedhore e vitit 2016-të, për taksat e presidentit dhe konfliktet e mundshme të interesit që përfshijnë familjen e Trump. Hetimet i shtohen atij të Prokurorit të Posaçëm Robert Mueller, që pritet së shpejti të paraqesë përfundimet e tij. (A2 Televizion)