
Qindra himariotë kanë protestuar kundër arrestimit dhe moslejimit të betimit të kryetarit të bashkisë së Himarës, të zgjedhur në votimet e 14 majit, Fredi Beleri. Në mbështetje të kësaj proteste kishte ardhur edhe kryetari i bashkisë së Athinës, Kostandino Bakojanis si dhe kryebashkiakë të Selanikut, Igumenicës, Korfuzit etj.
Protesta nisi me një mesazh audio, që Beleri kishte regjistruar nga ambientet e paraburgimit për mbështetësit e tij. Për ish-ministrin e drejtësisë Ylli Manjani, arrestimi i Belerit është i paligjshëm dhe nuk ka asnjë provë konkrete ndaj tij.
Ndërsa kryebashkiaku i Athinës në fjalën e tij kërkoi që të respektohen të drejtat e Belerit për t’u betuar si i zgjedhuri i popullit të Himarës.
Mosrespektimi i këtyre të drejtave sipas kryebashkiakut të Athinës do të kenë pasojat e veta për Shqipërinë në rrugën e saj për në Bashkimin Evropian.
Ndërsa kryetari i Partisë për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Duke, i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama të dëgjojë komunitetin himarjot teksa kërkon dhe të respektohet zgjedhja e tyre e votës së lirë. Protesta vijoi dhe u mbyll e qetë. (A2 Televizion)