Në prag të projekt- raportit për mundësinë e hapjes së negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Evropian, një tjetër raport, jo aq i rëndësishëm por gjithsesi domethënës vjen nga delegacioni holandez që ka vizituar Tiranën dhe Shkupin në periudhën 6-8 maj.
Sipas raportuesit Anne Mulder, edhe pse Shqipëria po bën një progres me reformën në drejtësi, nuk mungon të nënvizoi se aktualisht vendi edhe si pasojë e Vettingut nuk ka një Gjykatë Kushtetuese funksionale.
Raportuesja tregohet në veçanti e shqetësuar për atë që cilëson si “shkëputje e marrëdhënieve Qeveri-Opozitë” pas djegieve të mandateve, dhe se kjo mungesë po pengon demokracinë në vend.

Korrupsioni sipas raportit mbetet një plagë për vendin, ndërsa vlerësohet lufta kundër kultivimit dhe trafikut të lëndëve narkotike.
Ndërkohë, Mulder ka përshkruar me tone më pozitive situatën në Maqedoninë e Veriut, duke nënvizuar pikërisht se “bashkëpunimi konstruktiv” i mazhorancës dhe opozitës maqedonase ka dhënë si rezultat zgjedhje “të suksesshme dhe pa problematika”, me rezultatin e pranuar nga palët. Shkupi sipas holandezëve ka bërë progres edhe në nismat anti-korrupsion dhe në uljen e tensioneve ndëretnike.
Raporti holandez në mbylljen e tij nuk mungon të nënvizojë rëndësinë që ka “vlerësimi individual i progresit të çdo vendi”, duke nënkuptuar një qasje prioritare për rezultatet e Maqedonisë së Veriut. (A2 Televizion)