Nga konferenca e investimeve Bashkimi Evropian - Ballkani Perëndimor, Kryeministri Edi Rama dhe Komisionerja Marta Kos u bënë thirrje investitorëve që të hedhin sytë nga vendet e Ballkanit.
“Zgjidhni Ballkanin Perëndimor për investimet tuaja. Për herë të parë që nga anëtarësimi i Kroacisë, BE-ja po përgatitet të mirëpresë anëtarë të rinj dhe dy vendet më të avancuara në këtë proces janë nga Ballkani Perëndimor. Ne do të zgjerohemi deri në vitin 2030. Mali i Zi është pranë përfundimit të negociatave. Shqipëria mund të ndjekë të njëjtën rrugë. Viti 2027 mund të jetë viti i Shqipërisë, nëse qeveria vijon të qëndrojë në rrugën e duhur me reformat. Një ekonomi mund të lulëzojë vetëm kur ka siguri juridike. Ajo u jep sipërmarrësve besimin për të marrë vendime afatgjata. Kemi parë vazhdimisht se kapitali privat është orientuar drejt këtyre vendeve dhe se standardet e jetesës janë rritur. Vështirë se ka pasur një moment më të mirë se ky. Mundësitë ekonomike pritet të shtohen. Ne po modernizojmë mënyrën se si vendet kandidate mund të anëtarësohen. Përfitimet do të vijnë edhe përpara anëtarësimit. Ballkani Perëndimor do të jetë pjesë e BE-së, por shumë prej mundësive ekzistojnë tashmë këtu dhe do të shtohen me zgjerimin e qasjes në tregun unik dhe me më shumë fonde nga BE-ja. Thirrja ime për të gjithë ju është t’i shfrytëzoni këto mundësi", tha Kos.
Rama deklaroi se Shqipëria ka rritur kapacitetet e saj dhe fuqinë ekonomike, ndërsa Marta Kos kërkoi vijimin e reformave duke shtuar se 2027-ta mund të jetë viti i Shqipërisë. (A2 Televizion)