Dosja “Veliaj”, 4.8 vite burg Elman Abules, gjobë Klotilda Bushkës

Nga Armand Bajrami
26 Nëntor 2026, 19:04 | Kronikë

Dosja “Veliaj”, 4.8 vite burg Elman Abules, gjobë Klotilda

GJKKO ka mbyllur përballjen mes të akuzuarve dhe prokurorisë për tetë personat e pandehur në dosjen ndaj kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, Elman Abule do të vuajë 4 vite e 8 muaj burg, nga 7 vite që ishte dënimi i dhënë.

Ndërsa ish-deputetja Klotilda Bushka do të duhet të paguajë 200mijë lekë gjobë, pasi u gjet fajtore për veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Tre të tjerë, Ina Goxhaj, Fatjon Baxxi dhe Frosina Bollo, do të qëndrojnë në shërbim prove, ndërsa biznesmeni Fatmir Bektashi dhe Flutura Xhani u shpallën të pafajshëm.

Nga vuajtja e dënimit me burg do të shpëtojë edhe Adela Kondakçiu, e cila bashkëpunoi me drejtësinë gjatë hetimeve. Kjo e fundit ka bashkëpunuar me prokurorinë për lëvizjet financiare mes organizatave jofitimprurëse, por edhe për informacione të tjera që lidhen me dosjen.

Sa i përket Elman Abules, GJKKO e shpalli fajtor për pastrim parash në bashkëpunim dhe më shumë se njëherë. Procesi ndaj tetë të pandehurve u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa në seancat gjyqësore vijon përballja e prokurorisë me Erion Veliajn dhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa, në kuadër të një procesi të rregullt.

Vetë kryetari i Bashkisë së kryeqytetit ndodhet në burg që prej shkurtit të vitit 2025, kur u arrestua me kërkesë të SPAK-ut. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos