
Izraeli mund të ketë kapacitetin për të prodhuar deri në 250 armë të tjera bërthamore, falë rezervave të plutoniumit që zotëron. Ky është vlerësimi i publikuar nga “Bulletin of the Atomic Scientists”, në një raport që analizon arsenalin bërthamor izraelit dhe zhvillimet në objektet e tij bërthamore.
Sipas raportit, Izraeli zotëron rreth 90 koka bërthamore, ndërsa rezervat e plutoniumit vlerësohet të arrijnë deri në 1.000 kilogramë. Kjo sasi mund të mundësojë teorikisht prodhimin e 160 deri në 250 bombave të tjera.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se kapaciteti për prodhim të mëtejshëm nuk nënkupton domosdoshmërisht se Izraeli synon të zgjerojë arsenalin e tij. Sipas analizës, aktivitetet në objektet bërthamore lidhen kryesisht me mirëmbajtjen dhe modernizimin e armëve ekzistuese.
Një pjesë e rëndësishme e raportit i kushtohet impiantit të Dimonës, në shkretëtirën Negev, ku besohet se zhvillohen procese që lidhen me programin bërthamor të Izraelit.
Fotografitë satelitore të vitit 2026 tregojnë punime të reja ndërtimi në kompleks, përfshirë një strukturë rrethore me përmasa të ngjashme me reaktorin ekzistues. Megjithatë, nuk ka prova që objekti i ri të jetë një reaktor bërthamor.
Raporti vlerëson se arsenali izraelit përbëhet kryesisht nga armë bërthamore njëfazore, ndërsa nuk ka prova të mjaftueshme për të konfirmuar se vendi zotëron bomba hidrogjeni shumëfazore.
Izraeli nuk e ka pranuar dhe as mohuar zyrtarisht zotërimin e armëve bërthamore, duke ndjekur prej dekadash politikën e njohur si “paqartësia bërthamore”. Programi i tij bërthamor besohet se ka nisur në vitet 1960.
Një prej zbulimeve më të rëndësishme mbi këtë program ndodhi në vitin 1986, kur ish-tekniku i impiantit të Dimonës, Mordechai Vanunu, i dorëzoi gazetës britanike “Sunday Times” informacione dhe materiale mbi programin sekret. (A2 Televizion)