
Për dekada, fëmijët kanë ndjekur me ëndje gjestet madhështore të disa personazheve të ndryshme, njerëz fillimisht të zakonshëm, të shndërruar në heronj për të shpëtuar komunitetin e tyre, dhe në disa raste tërë botën, nga armiq të fuqishëm, po aq sa djallëzorë. Spiderman, Batman, Superman, janë shembujt që kanë frymëzuar gjenerata të tëra, në revista dhe më pas në ekran.
Por kohët, pothuajse papritur, kanë ndryshuar, dhe shumë prej atyre fëmijëve kanë zbuluar se heronjtë e tanishëm banojnë edhe në shtëpitë e tyre. Mjekë, infermierë, personel mbështetës, të gjithë tashmë shndrisin me një dritë të veçantë, në luftën kundër pandemisë globale të shkaktuar nga koronavirusi. E bardha e uniformës së tyre, duket ngjyra më e theksuar për shumë familje që ende mbeten në ankth për të dashurit që dergjen në pavijonet e spitaleve në mbarë botën.
Thuhet se ndryshimet epokale në histori “nuhaten” gjithmonë më parë nga artistët, dhe nuk habit që njëri prej tyre, ndoshta ai më në zë në dekadën e fundit, ka vendosur të bëj publik homazhin e tij ndaj heronjve të vitit 2020.
Flasim për Bansky-n, artistin më të famshëm në botë në “street art”, artin e rrugës, tashmë i vlerësuar nga kritika kudo në botë, veprat e së cilit mund të kushtojnë miliona euro në treg. Nuk dihet ky artist anonim, por që mendohet se ka prejardhje britanike, do të prodhojë artin e tij mural. Në kanalet e Venecias ose në periferitë e humbura të Evropës, veprat e tij me mesazhe simbolike dhe sensibilizuese i japin dritë dhe famë atyre vendeve të pazakonta.
Kësaj radhe, Bansky ka goditur sërish në shenjë. Një fëmijë luan me lodrat e tij, teksa zgjedh të fluturojë me fantazinë bashkë me kukullën e preferuar të një infermiere, kryqi i kuq i të cilës është ngjyra e vetme përtej kontrastit bardhezi. Në kosh, Batman dhe Superman, momentalisht të harruar. Por do ketë një vend edhe për to, një ditë.
Vepra, që artisti ka shpërndarë edhe në Instagramin e tij, i është dhuruar spitalit universitar të Southampton, në jugun e Anglisë, dhe është pritur me mrekulli dhe mirënjohje nga i gjithë personeli mjekësor. “Kanë qenë kohë të vështira për ne të gjithë, na ngrohet zemra kur mendojmë që dikush aq i njohur ka bërë diçka kaq të bukur për ne”, thotë Steve, i cili çdo ditë me javë të tëra ka përcjellë qindra barela të sëmurësh me COVID-19 deri te terapia intensive.
Paula Head, drejtuesja e spitalit, sqaron gjatë prezantimit të veprës që “në fillim nuk na besohej, nuk dinim as si kishte ardhur deri këtu. Por më pas u kontaktuam nga vetë Bansky dhe stafi i tij. Është e mrekullueshme, një dhuratë e çmuar qe ka bërë për vete të gjithë personelin”.
Vepra do të jetë e ekspozuar për të gjithë që duan ta admirojnë deri në përfundimin e karantinës. Më pas, me shumë gjasa, vepra e quajtur “Game Changer” do të vihet në ankand dhe fondet do të shkojnë për bamirësi. (A2 Televizion)