
I ashpër ka qenë Sali Berisha ndaj Lulzim Bashës gjatë fjalës së tij në “Foltoren” me demokratët.
Ish-kryeministri Berisha u shpreh se mazhoranca i vodhi zgjedhjet, por as Partia Demokratike nuk i fitoi ato për shkak të lidershipit të saj.
Ai shtoi se Basha nuk triumfoi në asnjë betejë gjatë 8 viteve në opozitë dhe për këtë arsye duhet të largohet.
“Po PD ku është? Në çfarë gjendje është? Në gjendjen më kritike të ekzistencës. Kurrë PD nuk ka qenë si në ditën e sotme. Ka 8 vjet që ka humbur çdo nismë përveç dekriminalizimit. Ka humbur çdo aksion. Ka 8 vjet që shkatërrohet mekanizmi elektoral përpara syve të saj dhe ajo nuk bën gjë. Ka 8 vjet që kalon nga disfata elektorale, në disfatë elektorale. Kjo është PD sot. PD humbi zgjedhjet e fundit në të cilat Rama vodhi e bleu dy herë më shumë vota se në 2017. Por duhet t’i themi të vërtetën në sy.
Nëse Rama nuk i fitoi zgjedhjet as PD nuk i fitoi zgjedhjet. Ditën e zgjedhjeve në darkë pollsteri më serioz pyet zgjedhësit demokrat për kë votuan, vetëm 1/5 e tyre për Lulzim Bashën, pjesa e tyre për Partinë Demokratike. Nuk mund të themi që ne fituam. Mund të afrohesh mund të shkosh, diku por pa lider... Ndodhi kjo. Ishte humbja e dytë e madhe. Unë nuk do ta kapërdija këtë. I humbe dy herë zgjedhjet, dy herë duhet të ikësh”, u shpreh ish-kryeministri Berisha. (A2 Televizion)