
80 mësues dhe rreth 20 nxënës rezultojnë të prekur nga Covid-19 në bashkitë e Qarkut të Korçës, por numri më i madh është në qytet. Edhe pse ka pothuajse çdo ditë raste të mësuesve që rezultojnë me virus, sërish procesi mësimor vijon normalisht nëpër shkolla.
Prindërit e fëmijëve shprehen të shqetësuar për situatën që është krijuar, por sërish vazhdojnë të mos jenë dakord me mbylljen e shkollave. Sipas tyre, mësimi nga shtëpia nuk është i vlefshëm dhe shkakton boshllëqe të mëdha te fëmijët.
Edhe pranë Njësisë së Kujdesit Shëndetësor Vendor Korçë, mjekët epidemiologë shprehen se pavarësisht rasteve të shtuara në radhët e nxënësve dhe mësuesve, nuk kemi të bëjmë me vatra. Kjo, sipas tyre, pasi rastet janë nëpër shkolla të ndryshme dhe jo masive në një shkollë.
Mësuesit e karantinuar zëvendësohen me mësues nga portali, ndërsa në sistemin parashkollor, Bashkia Korçë ka lëshuar apel për mësues vullnetarë që të jenë në gadishmëri për të zëvendësuar ato që infektohen me Covid-19. (A2 Televizion)