Sektori i aeronautikës ka qenë padyshim një nga më të goditurit nga pandemia.
Pas bllokimit total, sërish vetëm 35% e avionëve kanë rifilluar aktivitetin e tyre. Me javë të tëra, rreth 19 mijë aeroplanë kanë mbetur në tokë, disa në pistat e shkreta të aeroporteve, të tjerë në zona të përcaktuara në shkretëtirat e ndryshme të planetit, për t’u ruajtur nga armiku kryesor i këtyre mjeteve, lagështira e zgjatur.
Por, sipas një raporti të përpiluar nga IATA, organizmi kryesor botëror i sektorit tregon edhe për vështirësi nga më të ndryshmet, për gjigantët e qiejve që po tentojnë të ngrihen sërish.

Muajt e gjatë të mungesës së aktivitetit kanë bërë që në disa avionë të jenë gjetur insekte dhe krimba që kishin krijuar foletë e tyre në brendësi të mekanizmave dhe aparateve teknologjike, duke rrezikuar përdorimin e tyre.
Por, edhe në karburantin e mbetur në avion, janë gjetur baktere dhe kërpudha që mund të jenë të rrezikshme.
Përtej qenieve të ndryshme që kanë gjetur strehë në strukturën e avionëve, edhe statistikat e pilotëve duken sikur qenë të ndikuara nga pezullimi i orëve të fluturimit, duke regjistruar gabime, fatmirësisht jo të rënda, por që kanë alarmuar një organizëm si IATA, që i ka kërkuar kompanive të shtojnë orët në simulatorë për pilotët e tyre, si dhe një revizion të përgjithshëm dhe të detajuar për çdo mjet, në pritje të një rifillimi të plotë që ende duket një tunel pa dritë në fund. (A2 Televizion)
