
Dëmi ekonomik i zbuluar nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, për vitin 2019, është 27.3 miliardë lekë. Sipas raportit vjetor të KLSH-së, dëmet më të mëdha janë konstatuar në marrëveshjet hidrokarbure si dhe kontratat koncesionare PPP-të, të cilësuara si një ndër rreziqet kryesore për ekonominë e vendit.
Ndërkaq, përtej dëmit ekonomik ndikim negativ sipas KLSH-së ka dhënë edhe mosarkëtimi i të ardhurave sipas planit nga Tatimet e Doganat si dhe keqpërdorim të shpenzimeve publike, dëm i cili kapur shifrën e 1,2 mld euro.
KLSH-ja ka konstatuar po ashtu parregullsi me prokurimet publike që zënë një pjesë të konsiderueshme të shkeljeve të konstatuara, kryesisht për shkak të pjesëmarrjes së një operatori të vetëm në garë, problemeve me procedurat tenderuese si dhe mangësive të mëdha në studimet e fizibilitetit.
Për vitin 2019, Kontrolli i Lartë i Shtetit ka dërguar 28 kallëzime penale në Prokurori, dhe ka kërkuar zhdëmtimin e dëmit ekonomik të konstatuar. (A2 Televizion)