Egnatia “dorëzohet” në Rumani, mundet 2-0 nga Universitatea Craiova

Nga Dea Kozma
6 Nëntor 2026, 13:23 | Futboll

Egnatia nuk ia del në Rumani. Rrogozhinasit pësuan humbjen e parë në Conference League teksa u mundën 2-0 në transfertën rumune ndaj Universitatea Craiova.

Në ndeshjen e tretë të fazës së ligës në Conference League, trajneri Nevil Dede vuajti shumë mungesat në skuadër dhe nuk arriti t'i bëjë ballë presionit të vendasve. Skuadra rumune e zhbllokoi rezultatin që në minutën e 24-t. Alexandru Cicaldau përfiton nga një top i kthyer prej portierit Dajsinani dhe dërgoi topin në rrjetë. Fillimisht goli anulohet për pozicion jashtë loje, por pas ndërhyrjes së sistemit VAR-it gjithçka konfirmohet, shkruan A2.

Vetëm tetë minuta më vonë vjen edhe goditja e dytë. Kapiteni Nicusor Bancu lëshoi një goditje të fortë nga distanca dhe dyfishoi shifrat, duke e mbyllur pjesën e parë me avantazhin 2-0 për rumunët.

Në fraksionin e dytë, Egnatia kërkon të reagojë, por pa gjetur rrugën e rrjetës. Madje, në minutën e 83-të, rrogozhinasit mbeten edhe me një lojtar më pak, pasi Eneo Bitri ndëshkohet me kartonin e dytë të verdhë.

Kështu, Egnatia largohet pa pikë nga Rumania, ndërsa Craiova shkon në kuotën e shtatë pikëve pas tri ndeshjeve. Kampionët shqiptarë mbeten me dy pikë, duke e bërë edhe më të vështirë rrugën drejt kualifikimit.Ndeshjen e radhës në Europë do ta ketë përballë ekipit nga Gjibraltari, Lincoln Red Imps. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos