Koronavirusi, ekspertët: Rrezikon ekonominë, goditje për tregtinë e turizmin

Nga A2 CNN
3 Mars 2020, 20:10 | Ekonomi
Koronavirusi, ekspertët: Rrezikon ekonominë, goditje për

Ekonomia shqiptare do të vuajë pasojat e epidemisë së koronavirusit. Gjergj Buxhuku, administrator i Konfindustrisë, deklaron se ndikimi do të vijë nga dy vendet më të prekura, njëherazi partnerët tregtarë kryesorë të Shqipërisë, Italia dhe Kina, kryesisht në drejtim të rënies së dërgesave të emigrantëve.  

“Për sa i përket Italisë, ndikimi i parë negativ që do të jepet në ekonominë shqiptare do të jetë një rënie e remitancave. Fakti që Kina ka bllokuar një pjesë të madhe të industrisë së saj do të thotë që çmimet e makinerive dhe pajisjeve të jenë në rritje, jo vetëm për Shqipërinë, por për të gjithë tregun botëror. Duhet të pasqyrojmë rënien e çmimit të naftës në tregun vendas. Nëse ne nuk e pasqyrojmë shpejt, përveç pasojave që do të kemi nga koronavirusi, ne do të humbim dhe fuqinë tonë konkurruese në tregje”, u shpreh Gjergj Buxhuku

Eksperti për ekonominë, Ilir Ciko deklaron se turizmi është industria që do të përballet me humbjet më të mëdha, ndërsa shton se ndikimi në sektorët e tjerë të ekonomisë do të jetë më i kufizuar. 

“Në radhë të parë sektori i turizmit, i cili është tashmë i prekur në këtë drejtim, pasi sikurse dihet, shumë prej prenotimeve në hotele bëhen që në këtë fazë, dhe nga operatorët turistikë vihet re një stepje e rezervimeve. Gjithashtu, ka dhe një rritje të ndjeshme të anulimit të rezervimeve të kryera deri tani në hotelet shqiptare”, sqaron eksperti Ciko.

Sipas INSTAT, Italia fqinje është partneri më i madh tregtar me mbi 2.5 miliardë euro shkëmbime mallrash, ndërsa një peshë të madhe ka edhe tregtia me Kinën, që vitin e kaluar zuri 6.9% të volumit tregtar.

Agjencia e Vlerësimit Moody’s vlerëson se nëse virusi do të shndërrohej në pandemi, ekonomia globale do të kalonte në recesion, çka nuk do të kursente as atë të vendit tonë.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos