Një mbrëmje me dy fytyra për futbollin italian në Europa League. Juventus feston në transfertë, ndërsa Milani zhgënjen rëndë në San Siro, duke pësuar një tjetër humbje në arenën europiane.
Kuqezinjtë nuk ia dalin përballë Ferencvarosit, që triumfon 2-0 në Milano. Heroi i mbrëmjes është Lenny Joseph, i cili shënon të dy golat për skuadrën hungareze. Milani nuk arriti të reagojë, pavarësisht se kundërshtarët mbeten me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Bamidele Yusuf në minutën e 77-të, shkruan A2.
Një tjetër mbrëmje për t'u harruar për shtatë herë kampionët e Europës, që regjistrojnë humbjen e tretë në katër ndeshje dhe mbeten vetëm me tri pikë.
Në krahun tjetër, Juventusi mori një fitore të rëndësishme 2-1 në transfertën ndaj AZ Alkmaar. Protagonist ishte Teun Koopmeiners, i cili zhbllokoi rezultatin në minutën e 19-të pikërisht përballë ish-skuadrës së tij.
Tetë minuta më vonë, vjen edhe një moment i veçantë, pasi përballë tij në fushë zbriti dhe i vëllai, Peer Koopmeiners. Ndërkohë, Randal Kolo Muani dyfishoi shifrat në minutën e 37-të, duke i dhënë Juventusit një avantazh të dyfishtë që në pjesën e parë. Holandezët ngushtojnë diferencën me Meerdink pak para fundit, por italianët arritin të menaxhojnë mjaft mirë fitoren deri në fund.
Kështu, Juventusi ngjitet në kuotën e 10 pikëve, në vendin e pestë dhe qëndron në garë për zonën e kualifikimit direkt, ndërsa Milani duhet të reagojë sa më shpejt për të mos rrezikuar aventurën europiane pasi me 3 pikë , qëndron në vendin e 28-të. (A2 Televizion)