Kurz: BE më e plotë me vendet e Ballkanit Perëndimor

Nga A2 CNN
19 Nëntor 2018, 16:03 | Aktualitet

“BE do të jetë e plotë vetëm kur vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë anëtarë”. I këtij mendimi është kancelari austriak Sebastian Kurz, i cili mirëpriti këtë fillimjave liderët e këtyre vendeve aspirantë.

“Sot, kemi mundësi të përqendrohemi te tre çështje me rëndësi. E para, rruga e rajonit drejt BE-së, e dyta, bashkëpunimi i domosdoshëm rajonal dhe e treta, zgjidhja e konflikteve bilaterale”, deklaroi Kurz.

Ndërsa Kryeministri Edi Rama, që e ka artikuluar edhe më herët këtë ide, foli për përkushtim ndaj bashkëpunimit rajonal.

“Kuptojmë që ky është një proces ku asgjë nuk është e lehtë dhe asgjë nuk të jepet si e mirëqenë, por jam i sigurt që do të jemi në gjendje të tejkalojmë problemet dhe do t’i japim qytetarëve tanë atë që meritojnë”, tha Rama. Pjesë e takimit ishte edhe Komisioneri Johannes Hahn, që u ndal në krijimin e një zone ekonomike rajonale, si parakusht për integrimin e mëtejshëm në tregun e përbashkët europian. Për këtë është e rëndësishme të rrëzohen barrierat- u shpreh Hahn. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos