
Kandidati i mposhtur në garën presidenciale, Flavio Bolsonaro, ka mbërritur në SHBA, disa orë pasi Brazili i anuloi pasaportën.
Kandidati i së djathtës u largua nga vendi pasi Gjykata Supreme e Brazilit urdhëroi dorëzimin e pasaportave, në kuadër të një hetimi për pastrim të dyshuar parash, përcjell A2CNN. Bolsonaro nuk është akuzuar zyrtarisht dhe i ka mohuar pretendimet.
Pasaportat e tij u anuluan të martën, pasi ai nuk respektoi afatin për t'ua dorëzuar ato autoriteteve, duke nxitur spekulime të shumta se mund të ishte larguar nga Brazili.
Bolsonaro u takua me vëllanë e tij më të vogël, Eduardon, në Florida, megjithëse itinerari i saktë i udhëtimit të tij nga Brazili drejt SHBA-së mbetet i paqartë.
Raportimet për mbërritjen e tij në SHBA erdhën disa orë pasi një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi se Departamenti Amerikan i Shtetit do t'u lëshonte viza Bolsonaros dhe familjes së tij, duke u lejuar hyrjen në vend.
Të hënën, Gjykata Supreme e Brazilit urdhëroi Bolsonaron t'ia dorëzonte pasaportën policisë brenda 24 orëve, si pjesë e hetimit për pastrim të dyshuar parash.
(A2 Televizion)