
Sopranoja me famë botërore, Inva Mula foli në emisionin “I Ftuari” dhe për sopranon tjetër shqiptare Ermonela Jaho, e cila me performancat dhe vokalin e saj po korr një sukses të jashtëzakonshëm në skenat më të njohura në vitet e fundit.
Inva Mula u shpreh se nuk ka asnjë xhelozi për këtë sukses të koleges së saj Jaho, pasi ajo është një artiste e shkëlqyer në të gjitha drejtimet.
“Unë gëzohem, sepse Ermonela është një artiste e shkëlqyer, në të gjitha drejtimet. Dhe mënyra se si ajo po i përkushtohet skenës, mënyra se si ajo po imponohet në artin klasik, është shembull për artistët e rinj. Unë kam vetëm gëzim kur e shikoj, për arsye se është një rrugë që unë e kam bërë dhe e kuptoj”, deklaroi sopranoja tek “I Ftuari”.
Gazetari Endri Xhafo insistoi më tej duke e pyetur artisten e famshme nëse ka një rivalitet mes saj dhe Ermonela Jahos, duke sjellë për ilustrim disa shembuj sportistësh të njohur.
“Duhet të dimë diçka që arti nuk është garë sportive. Nuk shkohet as më lart, as më larg dhe as më shpejt. Është çështje personaliteti dhe secili duhet të japë atë të vetën. Mënyra se si publiku e përjeton dhe mënyra se si ripërtërihet skena me artistë të rinj të mirë, të cilët dalin bëjnë ciklin e tyre dhe më pas vijnë artistë të tjerë. Kjo është bukuria e skenës”, tha për këtë temë Inva Mula. (A2 Televizion)