
Investimet në produkte financiare që premtojmë fitime të larta mund të jenë shpesh mashtrime. Në Javën Globale të Investitorit, drejtori ekzekutiv i Bursës Shqiptare të Titujve, Artan Gjergji apelon qytetarët të bëjnë kujdes ku ata zgjedhin të hedhin paratë e tyre, veçanërisht kur kanë njohuri të pakta financiare.
“Herë pas here në treg mund të gjejmë oferta nga më joshëset, në lidhje me investimin, siç janë derivativët, kriptovalutat. Mund të premtojnë norma kthimi shumë herë më të larta, por që në anën tjetër janë i ekspozojnë qytetarët ndaj risqeve të paparashikuara që mund të vijnë për shkak të mungesës së informacionit”, shprehet Artan Gjergji, drejtor ekzekutiv i ALSE.
“Nuk duhet të besojmë çdo lloj oferte që na vjen nga operatorët, por të shohim subjektet e licencuara, pasi këto nuk guxojnë të abuzojnë mbi qytetarin”, shprehet Gjergji.
Regjistri i të gjitha shoqërive të licencuara për të shitur produkte financiare gjendet në faqen e Autoriteti të Mbikëqyrjes Financiare. Drejtori i Bursës ALSE rekomandon krahas letrave me vlerë të qeverisë, edhe Fondet e Investimeve dhe Fondet e Pensionit që aktualisht garantojnë interesa më të larta se depozitat në banka. (A2 Televizion)