
Fatos Tushe, ish-kryebashkiaku i Lushnjës, i arrestuar nga SPAK për abuzime me disa tendera do të gjykohet me procedurën e gjykimit të shkurtuar në Gjykatën e Posaçme.
Në seancën e parë të këtij procesit, trupi gjykues i kryesuar nga Erion Bani, pranoi kërkesën e ish-zyrtarit të lartë për këtë lloj gjykimi, prej të cilit në rast fajësie, i pandehuri përfiton uljen e një të tretës së dënimit.
Kërkesa për gjykim të shkurtuar u pranua edhe për 18 nga 20 të bashkëpandehurit e Tushes, kryesisht ish-zyrtarë të Bashkisë dhe të institucioneve vartëse të saj. Për të pandehurit Bujar Murati dhe Natasha Myrta, çështja u veçua.
Ish-kryebashkiaku i Lushnjës, i cili qëndron në burg prej korrikut të vitit të kaluar ishte i pranishëm në seancën e së martës. Sipas prokurorisë, Tushe dhe ish-vartësit e tij, në episode të ndara kanë “shpërdoruar detyrën” dhe “shkelur barazinë në tendera” lidhur me një tender me vlerë 23 milionë lekë për rehabilitimin e një kanali ujitës në njësinë administrative Kolonjë.
Në të njëjtën formë, SPAK pretendon se të pandehurit, ish-zyrtarë e biznesmenë, kanë abuzuar edhe me disa tendera të tjerë për blerje të bashkisë Lushnje, duke kualifikuar operatorë ekonomike të paracaktuar dhe që kishin paraqitur ofertë më të lartë se garuesit e tjerë.
Po sipas SPAK, Tushe ka “shpërdoruar detyrën” edhe duke iu dhënë personave privatë karburant të bashkisë Lushnje, si edhe duke lejuar ndërtime të paligjshme. (A2 Televizion)