Italia do të heqë disa kufizime, për autoritetet në Gjermani rreziku nuk ka kaluar

Nga A2 CNN
12 Maj 2020, 14:19 | Bota
Italia do të heqë disa kufizime, për autoritetet në Gjermani

Vendet europiane kanë nisur tashmë një mënyrë të re bashkëjetese me pandeminë dhe gjithmonë janë në kërkim të përmirësimit të kushteve të këtij normaliteti të ri. Duke nisur nga 18 maji, Italia do të zbusë më tej kufizimet dhe do të lejojë rihapjen e vendeve të kultit, restoranteve dhe një sërë biznesesh të tjera.

Sigurisht rregullat për t’u respektuar janë mbajtja e detyrueshme e maskave mbrojtëse dhe distancimi fizik. Vendi fqinj po mendon dhe për sezonin e ri arsimor që nis në shtator dhe ekspertët po përgatisin një plan me udhëzime.

Franca është një tjetër shtet I kontinentit të vjetër që lehtësoi masat kufizuese këtë javë, por për të luftuar pandeminë ka rritur aftësitë testuese për Covid-19. Synimi është që të arrihen deri në 700 mijë teste në javë dhe rezultatin e tyre, qytetarët do të mund ta marrin me anë të një platforme në internet.  “Cilësia dhe shpejtësia e mbledhjes së informacionit nga testet e kryera te personat që mund të kenë simptoma, mund të na lejojë ne që të shmangim një valë të dytë”, tha Michel Cadot, prefekt i Parisit.

E duke qëndruar tek rreziku i një vale të dytë, Gjermania njofton se rreziku nuk ka kaluar ende, edhe pse shifrat nga pandemia koronavirus në 24 orët e fundit pësuan një ulje të lehtë krahasuar me një ditë më parë. Indeksi i përhapjes së Covid-19 kaloi nga 0,7 në 1,07 pas rikthimit të pjesshëm të jetës sociale dhe ekonomike në Gjermani. “Rreziku në Gjermani është qartësisht më i ulët nga çfarë ishte 4 javë më parë, por nuk ka ikur”, tha Lars Schaade, zv/president i Institutit Gjerman për Kontrollimin e Sëmundjeve.

Spanja ka zgjedhur zbutjen e masave kufizuese të diferencuar mes rajoneve, duke shkaktuar pakënaqësi tek qytetarët por me raste edhe është mirëkuptuar. Madridi konsiderohet ende zonë e kuqe, dhe banorët pranojnë se është faji i tyre. “Shikojmë grupe njerëzish në rrugë që nuk respektojnë fashat orare për të dalë jashtë, fëmijët që qëndrojnë së bashku dhe mendoj se është e padrejtë, por e meritojmë të qëndrojmë në fazën zero të izolimit”, tha Manuel Martin, banor i Madridit. Spanja gjithashtu vendosi në zbatim një urdhër për personat që vijnë nga jashtë vendit, që i detyron ata të vetëkarantinohen për 14 ditë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos