Vrasja e gruas trondit Kosovën, kërkoi mbrojtje nga institucionet dhe u vra 3 ditë më vonë

Nga Leonora Kolukaj
26 Tetor 2026, 17:30 | Kronikë

Vrasja e gruas trondit Kosovën, kërkoi mbrojtje nga institucionet dhe

Vrasja e 49-vjeçares Arlinda Zekaj nga kunati I saj në Pejë ka tronditur opinionin publik në Kosovë. Gruaja kishte denoncuar dhunën dhe ishte ankuar për dështime institucionale në trajtimin e saj 3 ditë para se të vritej. Prokuroria paralajmëroi hetime ndaj zyrtarëve të përmendur në ankesë.

Tri ditë para se të vritej, Arlinda Zekaj kishte paralajmëruar për dështime institucionale në trajtimin e rastit të saj duke shkruar edhe një letër ku bënte kërkesë të fundit për ta mbrojtur. Prokuroria Themelore në Pejë bëri të ditur këtë të hënë se më 22 tetor, Zekaj i ishte drejtuar kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, duke kërkuar ndërhyrje urgjente dhe zbatimin e një vendimi gjyqësor që i mundësonte shfrytëzimin e shtëpisë së përbashkët.

Sipas Prokurorisë, prokurori kujdestar e kishte udhëzuar që fillimisht të qëndronte te familjarët, ndërsa për kthimin e saj ishte planifikuar që një patrullë policore të qëndronte pranë shtëpisë. Një ditë më pas, Prokuroria ngriti aktakuzë ndaj ish-bashkëshortit të saj për kanosje në marrëdhënie familjare.

Megjithatë,më 25 tetor, pasi kishte raportuar sërish dhunë në familje dhe ish-bashkëshorti ishte ndaluar për 48 orë, Zekaj u kthye në shtëpinë e përbashkët, e shoqëruar nga policia. Më vonë atë mbrëmje, ajo u gjet e vrarë në Vitomiricë të Pejës, dyshohet nga kunati i saj, që e ka goditur me njw mjet të fortë. I dyshuari është shpallur në kërkim nga policia.

Prokuroria nuk ka sqaruar nëse patrulla policore kishte qëndruar pranë shtëpisë pas kthimit të viktimës. Pas rastit, Kryeprokurori i Shtetit kërkoi analizë të plotë për të përcaktuar nëse kishte pasur lëshime dhepërgjegjësi institucionale apo individuale.

Ndërsa Inspektorati Policor është ngarkuar të verifikojë trajtimin e raportimeve të saj. Për vrasjen reaguan edhe presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, dhe shefi i UNMIK-ut, Peter Due, duke kërkuar hetim të plotë dhe llogaridhënie. Një protestë kundër vrasjes së grave është thirrur të mërkurën në orën 16 në Prishtinë.    (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos