
Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar se nga e hëna do të nisë puna për Ligjin për Dhomat e Specializuara, i cili është kthyer në Kuvend nga presidentja dhe fillimisht i është referuar Komisionit për Legjislacion.
Haxhiu tha se, sipas interpretimit të saj, kthimi i ligjit nga presidentja përbën veto, për të cilën Kuvendi duhet të votojë pro ose kundër, ndërsa kërkesa e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) për rikthimin e tij në lexim të tretë duhet të trajtohet në kuadër të procedurave parlamentare.
“Në bazë të leximit tim, nuk ka ndonjë çështje me theks që është identifikuar. I referohet deklaratës së Kuvendit dhe kërkesës së PDK-së për kthimin e ligjit në lexim të tretë. Në anën tjetër, unë kam përmendur se, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Rregullores së Kuvendit, kjo është veto e presidentes dhe, në këtë rast, Kuvendi duhet të votojë pro apo kundër. Roli i Kuvendit në këtë pikë është se a do të ketë plotësim të ligjit apo jo. Ne kemi pasur komunikim me PDK-në dhe i përket Komisionit për Legjislacion t’i trajtojë këto aspekte”, tha ajo.
Nga ana e saj, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu Kodra, tha se Komisioni për Legjislacion do të mblidhet për ta trajtuar ligjin pasi ai t’i dërgohet, duke theksuar se synimi është që të miratohet një ligj që adreson çështjet që lidhen me Dhomat e Specializuara.
“Ju i dini procedurat, meqë ligji është kthyer, tashmë i takon Kuvendit që të marrë masa në harmoni të plotë me Rregulloren e Kuvendit. Në komision nuk është se ka ardhur diçka, ne nuk kemi ftuar mbledhje të komisionit që i referohet ligjit. Komisioni për Legjislacion do të mblidhet sapo ta kemi ligjin dhe ta trajtojmë ndryshimin. Përpjekjet janë që të kemi një ligj të mirë që hyn në funksion të çështjes. Tashmë ka edhe raporte, jo vetëm të Avokatit të Popullit, për shkelje serioze në Dhoma, dhe Kosova që ka marrë barrën e votimit, që të trajtojë shkeljet serioze. E kemi dhe Apelin dhe tashmë do të jetë një betejë, por, meqë ka edhe një grup strategjik, do të jenë të gjitha forcat. Vullneti është të kemi një ligj që të hyjë në funksion, që Kosova të dalë fitimtare në këtë proces”, tha ajo.
Ndërkaq, deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri, e konsideroi kthimin e ligjit si një mundësi të humbur dhe gabim serioz, duke vlerësuar se vonesat po ndikojnë në veprimet e shtetit. Ai tha se prioritet duhet të jetë mbrojtja e ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Sa i përket temës së ligjit, për Aleancën është e thjeshtë: ne e kemi parë dhe e shohim edhe sot që është një mundësi e humbur, një gabim serioz të cilin tashmë e paguajmë me shtyrjen e afateve në mosveprimin shtetëror. Mbrojtja e katër çlirimtarëve është puna që duhet bërë. Çdo gjë tjetër nuk e mbështesim”.
Në anën tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se kthimi i ligjit nga presidentja paraqet refuzim të zbatimit të tij dhe se, proceduralisht, ekzistojnë dy mundësi: rikthimi i të njëjtit ligj pa ndryshime ose nisja e një nisme të re ligjore.
(A2 Televizion)