Italia prezanton certifikatën “Super Green Pass”, të pavaksinuarit përjashtohen nga jeta sociale

Nga A2 CNN
25 Nëntor 2021, 12:01 | Bota
Italia prezanton certifikatën “Super Green Pass”, të

Të shpëtohen Krishtlindjet, të ndalet rritja e infektimeve dhe t’i ofrohet siguri operatorëve turistikë dhe të gjithë aktivistëve ekonomike.

Janë këto objektivat e paktës së re të masave anti-covid, të prezantuara nga kryeministri Mario Draghi pas dritës jeshile nga Këshilli i Ministrave. Masat që hyjnë në fuqi nga 6 dhjetori deri në 15 janar, përfshijnë të ashtuquajturën “Super Green Pass”, certifikata e gjelbër që do t’i jepet vetëm personave të vaksinuar apo të shëruar nga koronavirusi, dhe jo atyre që kanë test negativ.

Hyrja në spektakle, evente sportive, bare, restorante e diskoteka do t’iu mundësohet vetëm atyre që kanë Super Green Pass në të tria zonat, të bardhë, të gjelbër e portokalli. Por në zonën e bardhë, ku situata me pandeminë është nën kontroll, do të mund të hyhet edhe me test në restorantet në ambient të hapur, palestra, pishina dhe aktivitete sportive në përgjithësi.

 “Duam të ruajmë normalitetin. Nuk duam rreziqe, duam të vazhdojmë të jemi të hapur, të kemi fëmijët në shkollë”, thotë Mario Draghi, kryeministri italian.  

Gjermania, e cila të enjten kaloi pragun e trishtë të 100 mijë vdekjeve nga koronavirusi shtrëngon më tej masat për të frenuar rritjen e pandalshme të infektimeve. Të ashtuquajturat rregullat 3G kanë hyrë në fuqi në të gjitha trenat, që nënkupton së për të udhëtuar pasagjerët duhet të tregojnë provë për vaksinim, shërim apo test negative të COVID-19.

Autoritetet po mendojnë sakaq, nëse do të shkojnë më tej duke e bërë të detyrueshëm vaksinimin. “Të gjithë ata që nuk vaksinohen e kanë fajin. Mendoj se vaksinat duhet të bëhen të detyrueshme. Pikë”, thotë një pasagjer.

Sakaq, Sllovakia u bë vendi i dytë pas Austrisë që hyri në izolim të plotë për të frenuar pandeminë, pasi mesatarja 7-ditore e infektimeve u rrit në mbi 10 mijë. Autoritet njoftuan gjendje të jashtëzakonshme 90-ditore dhe dy javë izolim. Të gjitha dyqanet jo të domosdoshme, e po ashtu baret e restorantet do të mbyllen. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos