
Sllovakia shpalli gjendjen e jashtëzakonshme 90-ditore dhe një bllokim dyjavor pas një rritjeje të rasteve të COVID-19 që pa mesataren shtatëditore të vendit të rasteve të rritet mbi 10 000.
Vendi i Evropës Qendrore është, aktualisht, në mes të rritjes më të shpejtë të infeksioneve në botë. Masat, të cilat përfshijnë mbylljen e të gjitha dyqaneve jothelbësore, si dhe baret e restorantet, kanë për qëllim të ndihmojnë sistemin e kujdesit shëndetësor.
Vendimi erdhi pasi presidentja Zuzana Čaputová iu drejtua kombit të martën, duke thënë se "Sllovakia po e humb betejën kundër COVID". Ajo shpjegoi, gjithashtu, se izolimi ishte i nevojshëm pasi stafi i kujdesit shëndetësor u mbingarkua dhe tendosja në spitale u bë pothuajse e padurueshme.
Gjatë bllokimit dyjavor, njerëzit do të lejohen të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike, si blerja e sendeve ushqimore, udhëtimi për në punë dhe shkollë ose vaksinimi.
Ata që janë ende të pavaksinuar do t'u kërkohet të bëjnë një test ose provë që kanë pasur COVID-19 në mënyrë që të shkojnë në punë. Gjatë gjendjes së jashtëzakonshme 90-ditore janë ndaluar, gjithashtu, të gjitha grumbullimet e më shumë se gjashtë personave që nuk jetojnë në të njëjtën familje.
Sllovakia renditet si vendi i tretë me shkallë më të ulët vaksinimi në Bashkimin Evropian, me pak më shumë se 45 për qind të sllovakëve të vaksinuar plotësisht.
Vendi ka tejkaluar shifrën e 3000 të shtrimeve në spital, pragu i konsideruar si kritik nga Ministria Sllovake e Shëndetësisë. Ministria tha se pothuajse 83 për qind e të shtruarve në spital nuk ishin të vaksinuar.
Fqinjët e Sllovakisë po kalojnë gjithashtu një kulm të COVID-19. Republika Çeke dhe Hungaria po regjistrojnë një rritje rekord të rasteve ditore. Austria, po ashtu, ka vendosur tashmë një bllokim total që nga e hëna e 22 nëntorit dhe do ta bëjë të detyrueshëm vaksinimin nga 1 shkurti i vitit të ardhshëm, duke e bërë atë vendin e parë në botë që e bën këtë. (A2 Televizion)