
Autoritetet shëndetësore italiane kanë përditësuar bilancin dramatik të përhapjes së koronavirusit në Itali, vend që tashmë mund të quhet epiqendra e COVID 19.
Të dhënat flasin për 2795 të infektuar nga virusi vetëm në 24 orët e fundit, me një prevalencë dramatike në Lombardi, ku pacientët janë shtuar me 1865 persona. Viktimat e kësaj dite janë 175 në total, dhe 74 në rajonin me kryeqendër Milanon.
Në total, të prekurit nga koronavirusi në vendin fqinj shkojnë në 21.157 raste, dhe viktimat 1441.
Për momentin, përhapja nuk ka interesuar ende në mënyre masive rajonet qendrore, ne veçanti atë të Romës, por transferimet e shumta të javës se kaluar nga Milano ne Jug bëjnë të mendohet për një rritje të shifrave edhe në këtë pjesë të vendit.
Forcat e rendit italiane bëjnë të ditur se më shumë se 7 mijë persona janë denoncuar për shkelje të masave shtrënguese, që parashikojnë arsye pune ose shëndetësore për transferimin nga një bashki në tjetrën. Për këtë arsye, do të bllokohen nga dita e sotme edhe trenat e natës, të përdorur nga shumë persona që nga veriu zbresin në jug dhe anasjelltas. (A2 Televizion)